close

ALIU: PROCESI I VETINGUT I DOMOSDOSHËM

Nesër fillon Grupi i Punës për veting në MPB


Procesi i vetingut është i domosdoshëm për shoqëritë në tranzicion, si kjo e jona, deklaron analisti politik Qenan Aliu. Megjithatë, ai shprehet skeptik rreth këtij procesi, dhe të njëjtin e vlerëson si të dyshimtë, përderisa siç shprehet, gjithçka lidhet me politikën dhe qytetarëve nuk mund t’iu ndryshohet bindja që kanë krijuar, se skena politike po dekriminalizohet.   

Institucioni i parë që ka nisur procesin e vetingut është MPB. Siç është bërë me dije, së pari do të kontrollohen të punësuarit në sistemin e sigurisë, megjithatë ende nuk dihet se kur i njëjti do të përfundojë në tërësi.  Vetingu është një proces i domosdoshëm për shoqëritë që gjenden akoma në një tranzicion të tillë siç është RMV, thekson analisti politik Qenan Aliu. Aliu deklaron se zbatimi i këtij procesi kërkon disa muaj kohë.

‘Është një proces që do të zgjasi dhe ky dikaster ka nevojë për një vetting. Shteti është nocion serioz, nuk është republikë shokësh, në sferën e sigurisë, në sferën e mbrojtjes, në sferën e arsimit, jo gjithkush mund të jetë i punësuar, të gjithë personalitetet që në këto fusha veprojnë, respektivisht,zbatojnë ligjet, ato duhet mbi të gjitha të kenë një integritet personal. Prandaj, kjo ka shumë rëndësi për një shoqëri.’- tha Qenan Aliu-Analist politik.

Aliu shprehet skeptik në lidhje me procesin e vettingut, dhe e vlerëson si të dyshimtë, përderisa siç shprehet, gjithçka lidhet me politikën dhe qytetarëve nuk mund t’iu ndryshohet bindja që kanë krijuar, se skena politike po dekriminalizohet.

‘Jam skeptik, për arsye se gjithçka lidhet me politikën, derisa skena politike e RMV është e kriminalizuar ose qytetarët kanë besimin se bëhet fjalë për një skenë skajshmërisht të kriminalizuar, në bazë të sëcilës është pabesueshmëri e theksuar, dhe edhe vettingu si proces do të jetë i dyshimtë.  Një shoqëri së pari duhet të fillojë nga dekriminalizimi i skenës politike.Nuk mund të rikthejnë qytetarët besimin tek këto institucione përderisa qytetarët nuk ndjejnë dhe nuk shohin se në këtë vend, vepron drejtësia dhe ligji.’ –deklaron Qenan Aliu-Analist politik.

Grupi i Punës për zbatimin e vettingut në Ministrinë e Brendshme që duhet të takohet nesër, deri në tetor duhet të përgjigjet se kur do të fillojë kontrolli i të punësuarve në polici, sa do të jetë përfshirja e kontrollve dhe sa do të zgjasë ky process. Nga MPB, kanë theksuar se që procesi i vettingut të del i suksesshëm, duhet që të gjitha institucionet e vendit t`i nënshtrohen të njëjtit.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka shkuar më larg në përgatitjet e procesit të vetingut,  apo kontrollit të integritetit të individit dhe institucioneve. Por, sigurisht se ka edhe  shumë çështje të cilat duhet të definohen se kush, si, dhe pse duhet të përfshihet në veting. Mendimi i ekspertëve dhe i MPB-së ka qenë se vetingu mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse  i njëjti realizohet tek të gjitha institucionet e vendit” – theksojnë nga MPB. /Blerona Jakupi/