Pas ambasadës së SHBA-ve, edhe ambasada e Gjermanisë në Shkup ka dënuar krahasimet e procedurave gjyqësore në Maqedoni me proceset e Nyrnbergut nga ana e liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
Ambasada e Gjermanisë në Shkup me anë të një komunikate i ka quajtur të papranueshme deklaratat e Kryetarit të VMRO-DPMNE-së Mickoski dhënë në një television kombëtar. Berlini porositi Micksoskin se krahasimet që i ka bërë janë jo përkatëse dhe minimizuese krahasuar me tmerret e nazistëve.
“Personat përgjegjës në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të kontribuojnë për tejkalimin e ndasive në shoqëri dhe të zhvillojnë dialog konstruktiv për ardhmërinë e vendit në drejtim të integrimeve euroatlantike. Përveç kësaj, vetë deklaratat për proceset e Nyrnbergut janë plotësisht të papranueshme” – thuhet në komunikatën e Ambasadës gjermane në Shkup.
Në një intervistë për Tv Sitel lideri i opozitës Mickoski ka kritikuar paraburgimin e sërishëm të ish-Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov, duke theksuar se aktvendimi do të jetë një proces i Nyrnbergut. Paraprakisht në këtë temë reagoi edhe Ambasada e SHBA-së në Shkup. /Klan Maqedoni/