close
Top LajmeVendi

BEJLI PËR VOA: MAQEDONIA PARA MUNDËSIVE HISTORIKE

5D5D6407-1279-4C4A-A131-B5F2CD99E30C_w1023_r1_s

S`ka alternativë tjetër për emrin


Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se Marrëveshja e Prespës është një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin. Në një intervistë ekskluzive për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, ambasadori Bajli u bëri thirrje udhëheqësve të vendit të marrin vendimet e vështira strategjike që kërkon realizimi i marrëveshjes.

Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli, në intervistën e Vitit të Ri, për Shërbimin në gjuhën maqedone të Zërit të Amerikës, vitin 2018 e ka vlerësuar si vit me zhvillime historike, duke përmendur Marrëveshjen e Prespës.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Maqedoninë dhe me atë që qytetarët dhe udhëheqësit e Maqedonisë vendosin se është në interesin më të mirë të vendit. Ne e dimë se kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo është me të vërtetë një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin, që do të çojë në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.”-deklaron Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.

Ambasadori Bejli shprehet i bindur se në Shkup e Athinë ka liderë të guximshëm, të cilët, siç shprehet, kanë lënë anash interesat afatshkurtëra partiake për të mbështetur këtë marrëveshje. Ai thotë se nuk sheh ndonjë plan rezervë nëse dështon votimi në parlament.

Arritja e kësaj zgjidhjeje zgjati 25 vjet dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë praktike në horizont. Kam besim se do të vazhdojmë të shohim udhëheqës të guximshëm që punojnë për të siguruar se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbasin rastin që më në fund ta zgjidhin këtë çështje.” –shprehet Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.

Vendimi i Parlamentit për të miratuar një ligj për amnistinë është një vendim i rëndësishëm politik, thotë ambasadori Bejli në këtë intervistë, duke theksuar se ligji është miratuar nëpërmjet një procesi transparent dhe demokratik që u mbështet nga një shumicë e madhe parlamentarësh.

“Ne besojmë se është e rëndësishme që ata që organizuan sulmet e 27 prillit të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Gjatë gjithë këtij procesi, gjyqësori duhet të mbetet i pavarur nga ndikimi politik dhe i lirë të vendosë për këto raste në bazë të fakteve dhe ligjit.”-vlerëson Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të rrisë stabilitetin dhe sigurinë dhe kjo do të çojë në rritje ekonomike. Bizneset dhe investitorët, vendas dhe të huaj, do të jenë më të sigurt për të vepruar në vend-thotë Bejli në intervistë, duke potencuar se Maqedoninë e presin edhe shumë punë tjera.

“Maqedonia duhet të punojë gjithashtu për të ndërtuar institucionet e forta që nevojiten për të arritur begatinë afatgjatë. Qytetarët duhet të kërkojnë llogaridhënie dhe transparencë nga institucionet. Kjo nuk është thjesht një çështje e ligjeve dhe rregulloreve, por ndryshim i sjelljes, duke ndryshuar “mënyrën se si funksionojnë gjërat”, në mënyrë që ligjet të funksionojnë siç duhet, që të shpërblehet merita dhe jo besnikëria ndaj eprorëve dhe që inovacioni të lulëzojë e jo status quo-ja.”-përfundon Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.

SHBA është e angazhuar për partneritetin tonë me Maqedoninë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Maqedoninë në mbështetje të vendosmërisë suaj sovrane për një të ardhme të sigurt dhe të begatë në familjen perëndimore të kombeve – ka theksuar ambasadori i SHBA-ve në Shkup Xhes Bejli në intervistën për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedone. /Klan Maqedoni&VOA/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia