close

AMBASADORI DEDAJ VIZITON MORINËN

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, i ka dorëzuar Gjykatës së Shkupit kërkesën e Serbisë, për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar mendimin e Gjykatës Penale nëse ish-pjesëtari i UCK-së Tomor Morina duhet të ekstradohet në Serbi.  Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut i ka dorëzuar dokumentet te Gjykata Penale lidhur me ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Tomor Morinës.

Ambasadori i Kosovës në Shkup Gjergj Dedaj ka realizuar një takim me Tomor Morinën. Në një postim në FACEBOOK, Dedaj ka theksuar se ai është në gjendje të mirë dhe se ndjehet i pafajshëm. Dedaj ka falënderuar institucionet e Shkupit për mënyrën e trajtimit të Morinës nga ana e institucioneve duke shtuar se drejtësia është në anën e Morinës dhe pret që ai së shpejti t`i kthehet familjes në Kosovë.

Përpos Ambasadorit Dedaj, Morinën paraprakisht e kishin vizituar edhe dy diplomatë tjerë të punësuar në Ambasadën e Kosovës. Por, Zv/Kryeministri Bujar Osmani dhe Zv/Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut Agim Nuhiu nuk morën leje për ta vizituar atë në burgun e Shkupit. Për Morinën tashmë ka nisur java e dytë që kur u vendos prapa grilave, pas vendimit të gjykatës që i caktoi 30 ditë paraburgim.

Epilogu rreth ekstradimit të tij shkaktoi një valë reagimesh në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë. Zv/Kryeministri Bujar Osmani në një deklaratë për mediat kishte theksuar se ekstradimi i Morinës në Serbi do ta cënonte stabilitetin e rajonit. Ish-Pjesëtari i UÇK-së Tomor Morina dyshohet për atë që Beogradi e quan krime kundër civilëve serbë në Kosovë në vitin 1999. /Klan Macedoni/