Sipas analistëve maqedonas, Gjorgji Spasov dhe Petar Arsovski, në zgjedhjet e 5 majit shqiptarët votuan duke iu referuar mesazheve të kandidatit të vetëm shqiptar Blerim Reka i cili nuk kaloi në raundin e dytë. Poashtu, ato theksojnë se fakti që opozita nuk mori numër të madh të votave tregon se një pjesë e elektoratit nuk dëshiron që shteti të eci në rrugën që kjo e fundit ofron.
Analisti politik Gjorgji Spasov, duke komentuar zgjedhjet e 5 majit në vend e konkretisht përcaktimin e votuesit shqiptar, deklaroi se të njëjtit u bazuan në mesazhet që dha kandidati i pavarur shqiptar Blerim Reka, i cili humbi në raundin e parë.
‘Te votuesi shqiptar kishte dy lloje të sjelljes: në rrethin e parë të zgjedhjeve ata e mbështetën kandidatin shqiptar dhe numri i votave për Blerim Rekën ishte i kënaqshëm, pra rreth 80 mijë vota. Mendoj se në rrethin e dytë të zgjedhjeve votuan në bazë të mesazhit kyç që dha Reka, për drejtimin që mëtutje do të marr vendi – anëtarësimin në NATO dhe BE. Medoj se kjo është sjellja e duhur politike dhe zgjedhore e përshtatur me autenticitetin e votuesit shqiptar në Maqedoni.’ – deklaroi Gjorgji Spasov-Analist.
Fakti që opozita nuk mori numër të madh të votave është indikacion se një pjesë e elektoratit nuk dëshiron që shteti të eci në rrugën që opozita dëshiron, deklaron analistit Petar Arsovski.
‘Shifrat të cilat kandidatët presidencail i fituan në raundin e parë të zgjedhjeve tregojnë dëshpërim nga dinamika me të cilën zhvillohet agjenda europiane në Maqedoni, por nuk tregojnë zhgënjim nga drejtimi në të cilin ecën vendi. Fakti se edhe opozita nuk mori numër të madh të votave është indikacion se një pjesë e elektoratit nuk dëshiron t’i përmbahet ‘kursit’ sipas të cilit opozita dëshiron të eci shteti. Ju apeloj atyre që janë skeptik në Greqi të durojnë edhe pak sepse votuesit nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre rreth asaj se a është kjo zgjedhja e duhur. Ata janë të pakënaqur nga politikanët vendas, sepse nuk kanë sjellë zgjidhje në kohën e duhur.’ -shprehet Petar Arsovski
Ndërkaq, pas përfundimit të zgjedhjeve, siç ka bërë me dije edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, pritet që të ketë ndryshime në qeveri, në institucionet shtetërore, shoqatat aksionare në pronësi të shtetit, ndërmarrjet publike, dhe të tjerë me qëllim siç ka theksuar kryeministri ‘të mënjanohen dobësitë në pushtetin ekzekutiv’. /Blerona Jakupi/