Xhaferi: Qeveria dhe opozita mbajnë përgjegjësi për suksesin ose mossuksesin e shtetit
Në qendrën përkujtimore Pelincë në Kumanovë, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi theksoi se është krenar që Maqedonia së shpejti do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Por qëllimi i dytë strategjik i shtetit – anëtarësimi në BE ende nuk është realizuar, duke sugjeruar se përgjegjësinë për suksesin ose mossuksesin e Maqedonisë e mbajnë njësoj si qeveria ashtu edhe opozita.
Në shumë lokacione, delegacione shtetërore, politike, ushtarake dhe të tjera nderuan luftëtarët e Kryengritjes së Ilindenit para 116 viteve, por edhe partizanët e Luftës së Dytë Botërore, të cilët para 75 viteve më 2 gusht mundësuan të mbahet Mbledhja e parë e Kuvendit antifashist të çlirimit kombëtar të Maqedonisë. Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, në mënyrë të veçantë iu drejtua disa të pranishmëve bashkëkohas të ASNOM.
“Në themelet e vendit tonë është antifashizmi, dhe këtë asnjë revizionizëm historik nuk guxon ta vë në pikëpyetje. Ju, partizanët, patët guxim ta vazhdoni veprën e Ilindenasve dhe të na trashëgoni një shtet të pavarur. Për këtë arsye kur flisni duhet të dëgjojmë me vëmendje dhe të mësojmë prej jush. Për këtë arsye, t’i tejkalojmë ndarjet historike, konfrontimet e panevojshme politike, t’i bashkojmë të gjithë flamujt dhe simbolet tona, pavarësisht nëse janë etnikë, fetarë, ideologjik ose të gjeneratave, të bashkohemi në një front të vetëm për realizimin e qëllimit tonë të përbashkët, transformimin e Maqedonisë së Veriut një vend i përparuar evropian, anëtare e NATO-s dhe BE-së.” -tha Kryetari i RMV-së Stevo Pendarovski.
Shteti është përgjegjësi e përbashkët, theksoi Pendarovski, duke u ndërlidhur me fjalimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, në qendrën memoriale Pelincë, në Kumanovë, në distancë 10 km nga manastiri Prohor Pçinski, tani në territor serb, ku janë takuar delegatët e ASNOM-it. Xhaferi pranoi se edhe historia më e re e Maqedonisë nuk ka qenë e lehtë, ndërsa përgjegjësinë e mbajnë të gjithë, edhe qeveria edhe opozita, përmes besimit të dhënë nga qytetarët.
“Nga vizioni dhe mençuria jonë varet sa do ta justifikojmë besimin e dhënë, sa do t’i mbajmë premtimet dhe angazhimet e dhëna para tyre. Të gjithë jemi përgjegjës në mënyrë të barabartë edhe për rënie edhe për ngecjen në atë rrugë.” –deklaroi Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Xhaferi, duke kritikuar kohën e humbur dhe të pakthyeshme, theksoi se fillimi ambicioz i Maqedonisë së pavarur për euro-integrim të plotë, nuk është realizuar deri në fund. Por sërish është krenar që tri dekada më vonë vendi pothuajse është anëtar i NATO-s.
“Miq të dashur, fjalimin tim në këtë pjesë do ta emëroj si pjesë të Ilindenit deri në NATO, sepse mendoj se suksesi që e arritëm në këtë fushë është Ilindeni i tretë për vendin tonë. Në raport me NATO-n pafundësisht dhe personalisht jam krenar.” –shprehet Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Por në sytë e opozitës situata në Maqedoni për momentin është për të ardhur keq, siç tha lideri i VMRO-DPMNE-së në një fshat të rrethit të Strugës.
“Të rinjtë largohen sepse jeta është e mundimshme, e rëndë dhe e keqe, por largohen edhe ata që kanë të hyra më të larta financiare, largohen sepse nuk kanë më besim në shtet, sepse sistemi është i ngathët.” –vlerëson Hristijan Mickoski, VMRO DPMNE.
Mickoski edhe në këtë rast e përsëriti angazhimin e tij për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas tij për disa muaj, kur ai do të angazhohet për ndaljen e procesit të largimit nga Maqedonia. /Biljana Georgievska/