close

ANSAMBLI SHQIPTAR DHE SFIDAT PËR 2019

Ansambli shtetëror Shqiptar në Maqedoni vitin e kaluar për herë të parë u prezantua me koncert në bashkëpunim me shoqëritë kulturore artistike në kuadër të festës së flamurit. Drejtori i këtij ansambli Fatos Lumani, i ftuar në emisionin HAPPY DAY në Klan Maqedoni, ka shpalosur detaje rreth funksionimit dhe mbarëvajtjes së punës. Viti 2019 – sipas Drejtorit Lumani-do të jetë vit ku do të dëshmohen vlerat artistike të Ansamblit.

Duke folur rreth zhvillimeve në Ansamblin shtetëror shqiptar, Drejtori Fatos Lumani thotë se krahas sfidave të ndryshme, pritet që audicionet rreth kompletimit të ansamblit, të mbahen pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale.

Drejtori Lumani gjithashtu u prononcua edhe rreth çështjes së godinës së këtij ansambli, për të cilën thotë se janë në kërkim të një lokacioni adekuat dhe se edhe kjo duhet të presë përfundimin e zgjedhjeve.

Sipas planprogramit, Ansambli shtetëror shqiptar në Maqedoni parasheh që gjatë vitit 2019 të realizojë një sërë koncertesh si dhe tre gala koncerte nëpër qytetet e Maqedonisë ku do të përfshihet folklori i zonave të veçanta si dhe koreografi të re me motive të ndryshme. /Lindita Aliu/