Thirrje të paraqiten parregullsitë
Deri tani nuk ka shkelje të procesit zgjedhor sipas njoftimeve deri te Komisioni kundër korrupsionit. Në konferencën e sotme për shtyp anëtarët e Komisionit kundër korrupsionit apeluan deri te qytetarët dhe organizatat qytetare të paraqesin në ueb faqet e tyre nëse vërejnë parregullësi të caktuara të cilat nuk përkojnë me kodin zgjedhor.
Fushata e filluar presidenciale, por edhe ajo lokale në komunat Ohër, Dibër dhe Novo Sellë, përveç numrit të madh të mbikëqyrësve vendas dhe të huaj, ndiqet edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky Komision nuk ka kompetenca për ndjekjen direkte dhe në terren, por bën thirrje për kyçje të të gjithë qytetarëve nëse vërejnë shkelje në pjesën e ndërtimit të objekteve te reja, pagesën e kompensimeve materiale, të cilat nuk janë pagesa të rregullta mujore, punësimeve të reja, shfrytëzimin e veturave zyrtare për qëllime partiake e të ngjashme t`i drejtohen Komisionit.
“Me procesin zgjedhor ende nuk kemi asgjë të vërtetuar, i motivojmë të gjithë ata që do të vërejnë keqpërdorim ose sjellje joadekuate, të vijnë të na informojnë.” tha Biljana Ivanovska – Kryetare e KSHPK-së.
Qytetarët këtë mund ta bëjnë në ueb faqen zyrtare të Komisionit shtetëror për Parandalim të Korrupsionit në formë të kallëzimit për dyshim për parregullësi dhe shkelje në procesin zgjedhor. Në lidhje me hetimet për nepotizëm, gjatë punësimit të funksionarëve të tanishëm dhe të mëparshëm Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit njoftoi se javën e ardhshme do të informojnë rreth procedurave për të cilat janë ndërmarrë masa. /Verica Dimijtrevska/