close

ARRESTIMI: OSMANI ANGAZHOHET PËR LIRIMIN E MORINËS

Autoritetet serbe dorëzojnë kërkesë për ekstradim


Derisa autoritetet serbe i kanë dërguar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë në Shkup, për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Tomor Morinës, sipas një urdhëri të Interpolit, kanë vazhduar komentet dhe përplasjet rreth arrestimit të tij në një vendkalim kufitar në Maqedoni.

Ministria serbe e Drejtësisë i ka dorëzuar kërkesë Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Tomor Morinës-kanë njoftuar mediat serbe. Morina ishte arrestuar javën e kaluar në një vendkalim kufitar të Maqedonisë, sipas një urdhëri të Interpolit. Ai nga Serbia kërkohet nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë.

Kryeministri Zaev duke komentuar këtë rast ka lënë të kuptohet se duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe vendore dhe se Morina i ka të gjitha të drejtat. Por, nga ana tjetër Zv/Kryeministri Bujar Osmani ka theksuar se personalisht është i angazhuar për lirimin e Morinës dhe se në cilësinë e mikut të Kosovës do ta vizitojë ish-ushtarin e UÇK-së që gjendet në arrest në Shkup.

Vendimin përfundimtar sipas kërkesës së Serbisë duhet ta merr Ministria e Drejtësisë. Ndryshe, arrestimi i Morinës ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Ejup Alimi e krahasoi Kryeministrin Zaev me Milosheviqin. /Klan Macedoni/