close

ARRIHET MARRËVESHJE PËR DREJTUESIT E RINJ TË BE-së

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, pas një samiti maratonë, arritën marrëveshje për emërimin e drejtuesve të institucioneve kryesore evropiane. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, do të jetë presidente e Komisionit Evropian, kryeministri i Belgjikës, Charles Michel është presidenti i ri i Këshillit Evropian dhe politikën e Jashtme të BE-së, do ta udhëheq ministri i Jashtëm spanjoll, Joseph Borell. Siç njofton korrespodentja jonë në Bruksel, Erisa Zykaj,  Presidenti i Komisionit Evropian, si dhe të gjithë komisionerët, duhet të konfirmohen nga Parlamenti Evropian. Përveç presidentit të Parlamentit, i cili do të marrë detyrën menjëherë pas votimit, udhëheqësit e tjerë do të vendosen në zyra në nëntor të këtij viti.

Një ekip europian krejtësisht i papritur. Ky ishte fryti i vendimit të 28 liderëve europianë për përzgjedhjen e ekipit të ri të Bashkimit Europian. Për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian, përzgjidhet një femër në krye të Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë. Por ky vendim nuk është fakti i kryer dhe mund të vihet në pikëpyetje nga Parlamentit Europian, që duhet të japë “bekimin” e tij siç e ka shpjeguar edhe presidenti i Këshilllit Europian, Donald Tusk në përfundim tê samitit europian:

“Ne kemi propozuar Ursula Von der Leyen si presidente të ardhshme të Komisionit Europian dhe emëruam Christine Lagarde si presidente të Bankës Qendrore Evropiane. Ne kemi zgjedhur Charles Michel si presidentin e ardhshëm tê Këshillit Europian dhe Josep Borrell si përfaqësues i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian. Tani i takon Parlamentit Europian që të konsiderojë Ursula Von der Leyen në krye të Komisionit Europian. Nëse ajo zgjidhet, ajo do jetë femra e parë në krye të Komisionit Europian në historinë e BE-së.’ – tha Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk.

Presidenti i ri i Këshillit Europian, Sharl Mishel që zevëndëson Donald Tusk, ka treguar në konferencë për shtyp se sfidat e Bashkimit Europian përbëjnë edhe mundësi dhe se ai do të ruajë fort vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian:

“Evropa përballet me sfida dhe për mua këto sfida pêrbëjnë edhe oportunitete. Do të jetë thelbësore për mua që tê punoj ngushtë me Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian në këto pesë vite të ardhshme të rëndësishme që kemi përpara. Do të jetë shumë e rëndësishme që të mbrojmê dhe të promovojmë bashkimin tonë, diversitetin tonë dhe solidaritetin tonë” –shprehet Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Presidenti i Këshillit që po largohet Donald Tusk është shprehur për gazetarët, se Gjermania ka abstenuar nga votimi përfundimtar në samit, për shkak të një revoltimi të partnerëve socialistë në koalicionin qeverisës të Angela Merkelit për kandidaturën e Fon der Leyen. Fjalën e fundit lidhur me këtë e ka Parlamenti Evropian. /Erisa Zykaj, Bruksel/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!