Në tetor, qeveria e re greke do të duhet të japë ose jo konsensusin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut. Nga kjo do të varen në masë të madhe, raportet e Athinës me Tiranën dhe Shkupin.
Ky është konkluzioni i analistëve grekë, në shqyrtimin e programit të qeverisë Mitsotakis, tri javë pas ditores në zgjedhjet e 7 korrikut. Gazeta më e madhe konservatore, Kathimerini, i kushton një analizë shteruese kësaj teme.
Gazetari Stavros Tzimas, ndoshta njohësi më i mirë i çështjeve ballkanike në Greqi, nënvizon në analizën e tij se “Athina nuk do të bëhet pengesë në procesin e integrimit të dy vendeve fqinje, por nuk ka për ta dhënë konsensusin pa marrë shkëmbime”.
Tzimas citon një burim pranë kryeministrit që i ka thënë se “Athina nuk do të thotë “jo” për asnjërin prej dy vendeve, por do të shtrojë edhe kushtet e veta”.
Sipas analistit grek, kushti për Maqedoninë e veriut do të mund të jetë zbatimi me rigorozitet i marrëveshjes së Prespës. Ndërsa për Shqipërinë, dhënia e garancive mbi respektimin e konventave ndërkombëtare për të drejtat e minoritetit.
Tzimas shqyrton edhe mundësinë që liderët europianë ta shtyjnë sërish për më vonë marrjen e vendimit, apo të japin një datë vetëm për Maqedoninë e Veriut.
Sipas analistit grek, shtyrja e vendimit, do të rrezikonte qeverinë e Zaevit, që promovoi marrëveshjen e Prespës si katalizator në përshpejtimin e procesit të integrimit europoian.
Por edhe në rast se Maqedonia e merr datën dhe Shqipëria jo, atëherë sërish mund të krijohen probleme, tashmë nga shqiptarët e Maqedonisë, që sipas analistit grek janë një faktor mjaft i fuqishëm për ekuilibrat ndëretnikë dhe politikë në vend. /Robert Goro, Athinë/