close
Top LajmeVendi

ATHINË: TSIPRAS-PAS VOTËBESIMIT, MARRËVESHJA E PRESPËS

AFP-TV_20190114_POL_GRC_TsiprasPolitics_VID1288505_EN_en

Kryeministri grek disponon me votat e nevojshme


Qeveria Tsipras pritet të fitojë votëbesimin në një procedurë që do të zhvillohet afër mesnatës së të mërkurës. Konsiderohet e sigurt se kryeministri grek disponon 151 votat e nevojshme. 145 nga deputetët e SYRIZA-s në pushtet dhe 6 votat e tjera nga 6 deputetë të forcave të tjera politike, katër prej të cilëve nga partia Grekët e Pavarur të Panos Kammenos. Tsipras e kërkoi votëbesimin menjëherë pasi zoti Kammenos shpalli largimin nga koalicioni qeveritar.

Pikërisht akuzat dhe kundërakuzat për trafikim deputetësh kanë dominuar në debatin parlamentar përkatës. Çështja tjetër që gjithashtu dominoi lidhej me marrëveshjen e Prespës dhe dyshimet se Tsipras synon që ajo të miratohet nga parlamenti para datës 20 janar. Në këtë datë është paralajmëruar një manifestim mbarëkombëtar proteste në sheshin Syntagma para parlamentit.

Burime parlamentare thanë për TV Klan se qeveria planifikon që Marrëveshja e Prespës të kalojë nga komisioni përkatës i parlamentit të enjten dhe pastaj të shkojë për votim në një seancë plenare, të premten apo të shtunën. Ndërkaq, burime qeveritare e konsideruan këtë skenar si të pamundur, duke theksuar se procedurat parlamentare nuk mund të reduktohen në mënyrë kaq drastike. Gjithsesi, burimet qeveritare thanë se synimi i kryeministrit është që një seri çështjesh të kryhen sa më shpejt dhe pa intervale ndërmjet tyre.

Duke filluar nga  votëbesimi i qeverisë, votimi i marrëveshjes së Prespës dhe riformatimi i kabinetit qeveritar pas largimit të partisë së Kammenos. Tsipras gjykon se në këtë mënyrë do të përmirësohet klima politike, çka do të jetë dhe një sinjal pozitiv për tregjet financiare që kanë një lloj rezerve ndaj Greqisë, për shkak të zhvillimeve të fundit. /Roberto Goro, Athinë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia