close

ATHINË: UDHËZIME PËR ZBATIMIN PRAKTIK TË MARRËVESHJES SË PRESPËS

Ministria e Jashtme greke ka nxjerrë një udhëzim mbi zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Udhëzimi, i dërguar gjithë institucioneve publike bën me dije se që nga 12 shkurti emri i fqinjit verior të Greqisë ka ndryshuar në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Me vënien në përdorim të emrit të ri, pushon së ekzistuari Memorandumi i Masave Praktike, bazuar në marrëveshjen e ndërmjetme të vitit 1995.

Sipas atij memorandumi, në çdo shkresë zyrtare të vendit fqinj, autoritetet greke vendosnin një vulë ku thuhej se Greqia e njeh si “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”.

Ministria e jashtme greke nënvizon që në rast se në korrespondencën zyrtare mes të dy shteteve, nuk respektohet terminologjia e përcaktuar nga Marrëveshja e Prespës, atëherë korrespondenca nuk do të pranohet dhe do t’i kthehet dërguesit.

Po ashtu edhe titullarët do të kumtohen sipas emrit të ri, p.sh., ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut e jo “ministri i jashtëm maqedonas”.

Çdo delegacion grek në takime ndërkombëtare nuk do të nënshkruajë dokumente me referenca jashtë emërtimeve dhe terminologjisë që përcakton marrëveshja e Prespës, përcaktohet në udhëzimin e ministrisë së jashtme greke.

Udhëzimi u referohet edhe dokumenteve të udhëtimit dhe angazhimit të Shkupit zyrtar që të fillojë ndryshimi i tyre brenda këtij viti.

Deri atëherë, përcakton ministria e jashtme greke, në pasaportat e qytetarëve të vendit fqinj që hyjnë në Greqi do të vendoset një vulë me fjalët “vjen nga Republika e Maqedonisë së Veriut”. /Robert Goro – Athinë/