Atletja xhamajkane Briana Williams, fituese e dy medaljeve të arta në Botërorin U-20, ka dalë pozitive pas një testi antidoping. Një rast dopingu që ka tronditur mjaft sportin e atletikës në Xhamajkë edhe për faktin se Williams ka vendosur rekordin kombëtar 10”94 në garën e 100 metrave. Gjithsesi, për momentin ky rekord nuk është homologuar.
17-vjeçarja konsiderohet si një talent në sportin e “mbretëreshës”, por ky rast dopingu është një njollë e rëndë në karrierën e saj, e cila rrezikon të ndalet që në startin e saj. Sipas mediave xhamajkane, Williams do të dalë para një paneli të pavarur të komisionit antidoping për të justifikuar këtë rast pozitiviteti.
Mësohet se edhe analiza e dytë ka konfirmuar rezultatin e të parës (pozitive me steriodë), ndërkohë që testi është kryer nga WADA jashtë garave. Atletja rrezikon të mos jetë e pranishme në botërorin e Doha, që zhvillohet në fund të shtatorit. Briana Williams rrezikon deri në 4 vjet pezullim nga WADA. /Agjencitë/