close

AVOKATI I POPULLIT: MASA KUNDËR SHTATZËNISË SË TË MITURAVE

Gjithsejt 62 të mituar kanë ndërprerë shtatzëninë kurse 731 kanë lindur. Më të rejat janë të moshës prej 11 deri më 13 vjeç. Nga Zyra e Avokatit të Popullit kërkojnë masa urgjente për t`u ballafaquar me këtë shqetësim, kurse nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë bëjnë thirrje për kujdes ngase aborti sjell rreziqe.

Masa urgjente për ballafaqim me problemin e shtatzënisë së të miturave kërkojnë nga Zyra e Avokatit të Popullit, pas rezultateve të publikuara në periudhën e viteve 2016 – 2017. Gjithsejt 62 të mitura deri në 18 vjet, kanë ndërprerë shtatzëninë në tetë institucione publike shëndetësore. Pjesa më e madhe e tyre janë të moshës prej 14 deri 16 vjeç. Zv/Avokatja e Popullit Vaska Bajramovska – Mustafa ka theksuar se shqetësuese janë numrat lidhur me moshën e fëmijëve që bëhen nëna. Sipas dokumenteve në institucionet publike shëndetësore, janë evidentuar edhe katër raste të lindjeve të fëmijëve të moshës prej 11 deri 13 vjeç.

“Thuajse të gjithë lindjet e të miturave janë jashtëmartesore. Spitalet nuk mbajnë evidenca të posaçme për ta, ose nuk janë të sakta rreth statusit martesor. Nuk respektohet obligimi ligjor për sigurimin e pëlqimit nga prindëri-kujdestar gjatë intervenimit ndaj lindjeve të të miturave”- deklaron Vaska Bajramovska – Mustafa – Zv/Avokate e Popullit

Klinika për Gjinekologji dhe Akusheri është një nga institucionet që ishte kyçur në hulumtimet e Avokatit të Popullit. Zëdhënënsja Dragana Bukilica njoftoi se pjesa më e madhe e pacienteve ishin dërguar në këtë klinikë. Rreth rregullores ligjore për pëlqim nga prindëri-kujdestari, ajo thotë se plotësisht ka qenë e respektuar.

“Tek ne në Klinikën për Gjinekologji dhe Akuesheri, plotësisht është respektuar procedura formalo-juridike për posedimin e nënshkrimit të prindërit apo kujdestarit. Shpeshherë duke pasur parasysh se pacientet janë shumë të reja dhe bëhet fjalë për shtatzëni të paplanifikuar, ajo ndërpritet për shkak se ata ende nuk e shohin veten në rolin e prindërit” shprehet Dragana Bukilica – Klinika për Gjinekologji dhe Akusheri.

Si pjesë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit janë edhe edukimi i të rinjve nëpër shkollat rreth shëndetit reproduktiv si dhe mënyrat e mbrojtjes nga shtatzënia e padëshiruar dhe nga sëmundjet infektuese seksuale. Gjithashtu përmendet edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale dhe të njëjtët ta shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së linjës pa pagesë telefonike që të rinjtë të kenë mundësi të marrin përgjigje rreth çështjeve të kontracepcionit, simptomeve të shtatzënisë, procedurave për ndërprerje të shtatzënisë e të tjera. /Verica Dimitrijevska/