close

AZIZI: I PRITSHËM QËNDRIMI I ASH-së DHE BESËS

Duke komentuar qëndrimet e fundit të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA, në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, analisti Berat Azizi thekson se vendimi i tyre ka qenë i pritshëm.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, dolën me qëndrime që në raundin e dytë të Zgjedhjeve Presidenciale qytetarët të dalin masivisht në votime, e veçanërisht ato shqiptarë. Nga këto parti kanë theksuar që e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut të zgjedhë një President dhe mos të krijohet krizë e re institucionale gjë që do ngadalësojë proceset integruese të shtetit drejt NATO dhe BE-së. Analisti Berat Azizi, thekson se ky qëndrim i partive është pritur, për shkak të, siç thekson ai, rëndësisë së këtij procesi.

‘Ky apel i partive shqiptare në opozitë, Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët është pritur edhe përkundër disa dilemave, pasi bëhet fjalë këtu për një proces mjaftë të rëndësishëm për vendin. Nuk bëhet fjalë për një figure, për kryetar shteti, por bëhet fjalë për një proces që kanë mbështetur ndërkombëtarët, për proceset eurointegruese dhe ata nuk guxojnë të lejojnë që ky projekt të dështojë. Pra, të dështojnë zgjedhjet presidenciale.’ –tha Berat Azizi-Analist.

Azizi, thekson se pavarësisht se në raundin e dytë të zgjedhjeve nuk ka një kandidat shqiptar, ai vlerëson që pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë në votime është e rëndësishme, sepse pavarësisht dilemave, bëhet fjalë për proceset euro-atlantike.

‘Në rrethin e parë kishim një atmosferë tjetër zgjedhore, megjithatë edhe dalja në rrethin e parë e kandidatit shqiptar mbështetur nga partitë opozitare ishte mjaftë e rëndësishme sepse mundësoi arritjen e censusit dhe në vijimësi të kësaj, ata bëjnë apel që qytetarët të dalin dhe të votojnë në mënyrë sa më masive dhe të votojnë për proceset euro-atlantike. Dhe unë mendoj se të dielën të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht dilemave që mund të kenë, pasi në listë nuk figuron kandidat shqiptar, ato do të dalin pasi e kanë dëshmuar edhe më herët se ne gjithmonë i kemi mbështetur projektet, sidomos ato që kanë mbështetjen ndërkombëtare.’ deklaroi Berat Azizi-Analist.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 5 maj. Në garë për president të Maqedonisë së Veriut janë Stevo Pendarovski nga koalicioni qeveritar, i udhëhequr nga social demokratët e kryeministrit Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DMPNE-së opozitare. Mirëpo, këto zgjedhje do të jenë të vlefshme vetëm nëse në votime dalin mbi 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues. /Blerona Jakupi/