Banka Botërore bëri të ditur se tregu i punës në Ballkanin Perëndimor vazhdon të përmirësohet, por me një ritëm më të ngadaltë se një vit më parë dhe pavarësisht rritjes më të fortë ekonomike në rajon. Raporti “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2019″ u publikuan sot nga Banka Botërore dhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare. Vitin e kaluar u hapën rreth 68 mijë vende pune, krahasuar me 231 mijë vende pune një vit më parë.
“Shqipëria dhe Mali i Zi raportuan rritjen më të madhe të vendeve të punës në rajon, me 3.3 për qind secila, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me një rritje prej 2.1 për qind” – thotë raporti. Shumica e vendeve të reja të punës u krijuan në industri dhe shërbimeve. Sipas studimit, gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në tregjet e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse mbi gjysma e rritjes së punësimit është regjistruar në radhët e tyre.
“Papunësia pësoi ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga 16.2 për qind në 15.3 për qind; normat ishin nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë” – shtoi studimi i Bankës Botërore dhe Instituti i Vienës.
Ekspertët pohuan se rajoni përjetoi një rënie të ndjeshme të papunësisë afatgjatë, por papunësia në Ballkanin Perëndimor mbeti një sfidë e konsiderueshme, sepse nivelet ishin dy – tre herë më të larta se në vendet e BE-së. Raporti vëren se punësimi informal, një nga sfidat më të mëdha të tregjeve të punës të Ballkanit Perëndimor, është ende në rritje në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore, por ra në Serbi. /Klan Maqedoni/