close

BDI DHE LSDM ZBUSIN TONET

Ahmeti: Nuk ka krizë, nuk veprohet me emocione 


Pas stuhisë, partnerët e koalicionit qetësojnë topin. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk i merr seriozisht deklaratat e nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zekirit, dhe thotë se ai e ka gabim kur thotë se Qeveria mund të mbahet edhe pa BDI-në.

“Nëse mbahet pa BDI Qeveria, do të kisha thënë se bëjnë shumë gabim. Por kjo do të thosha se është vetëm një deklaratë e një anëtari të LSDM-së, apo një funksionari të LSDM-së, i cili nuk e ka përgjegjësinë e misionit të madh historik që ka Republika e Maqedonisë. Unë në këtë situatë kam përgjegjësi përpara qytetarëve të Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë, maqedonas, turk, romë, serb, vlleh, dhe unë nuk shërbehem me politika emocionale për qëllime të politikave ditore dhe matje rejtingjesh.” deklaron Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

E nesër Ahmeti do të takohet me Zaevin në Kuvend. Kryetari i BDI-së pret që edhe çështja për kandidatin konsensual të marrë epilog. E që nga nesër, punët do të normalizohen edhe në Kuvend, tha zëdhënësi i LSDM-së, Kosta Kostadinov.

Lidhja Social Demokrate me BDI-në janë në koalicion aktiv. Mund të ju them se mbrëmë patëm seancën qeveritare, ku u sollën disa vendime që janë në doni të qytetarëve. Të gjitha mosmarrëveshjet partiake tejkalohen me bisedë.” -shprehet Kosta Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së. 

Ndryshe, kryetari i BDI-së komentoi situatën aktuale në vend, pas takimit me Ministrin e Jashtëm Shqiptar, Gent Cakaj, i cili po qëndron në vizitë dy ditore në vend.  /Furkan Saliu/