close

BE: ÇËSHTJA E DATËS RIKTHEHET NË TETOR

Ministrat e Jashtëm nuk arritën të marrin një vendim


Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk arritën sot të marrin një vendim lidhur me rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, tha sot se ndjehej i keqardhur që disa nga vendet anëtare nuk e mbështetën propozimin e qartë të Komisionit. Sipas tij të dy vendet duhet të ishin shpërblyer pasi ato kishin përmbushur çfarë ju ishte kërkuar vitin e shkuar. Sipas të gjitha gjasave, vendimi për bisedimet do të shtyhet për në vjeshtë, në muajin tetor, duke qenë se Gjermania është në pritje të vlerësimit të parlamentit të saj, ndërsa disa vende skeptike si Franca e Hollanda nuk janë të gatshme për një vendim të shpejtë.

Në Konferencën e shtypit pas takimit të Ministrave për Punë të jashtme të vendeve anëtare të BE-së, Komisioneri Han dhe Ministri I cështjeve evropiane të Rumanisë Georghe Chiamba në cilësinë e vendit kryesues me BE-në disa herë shprehën keqardhje për vendimin dhe disa herë kanë përmendur Marrëveshjen e Prespës si dritë positive në këtë process.

“Fatkeqësisht një pakicë e vendeve anëtare nuk kishin mundësi ta përkrahin rekomandimin e qartë të Komisionit që të fillohen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” – tha Johanes Hahn, Komisioner i BE-së.

Konkretisht në versionin e fundit thuhet se Këshilli fuqshëm përshëndet Marrëveshjen historike të Prespës që paraqet një të arritur dhe shembull pozitiv për rajonin e më gjerë. Lidhur me datën, në kontekstin e tashëm përsëritet konkluzioni nga 26 Qershori I vitit 2018 kur Këshilli kishte përshëndetur Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë dhe kishte marrë parasysh rekomandimin e Komisionit për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut në bazë të konkluzionit pozitiv dhe progresit të shënuar.

“Për shkak të kohës së kufizuar dhe rëndësisë, Këshilli do t`i kthehet kësaj çështjeje me një vendim të qartë dhe thelbësor sa më shpejtë të jetë e mundur, por jo më së voni se Tetori i vitit 2019”- konkluzioni i Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Në pyetjen nëse ka garanca se me siguri në tetor do të ketë një vendim, Komisioneri Han ka thënë se nuk mund të jep asnjë garancë.

“Por, unë i dëgjova me kujdes vendet anëtare. Ishin përplot me respekt për Maqedoninë e Veriut. Kishte një sqarim të qartë e korrekt nga Ministri gjerman Roth, i cili tha se kanë një problem institucional me atë që Bundestagu nuk ka kohë të miratojë konkluzione” –vlerëson Johanes Hahn, Komisioner i BE-së.

Paraprakisht ministrja e Jashtme e Kroacisë Marija Pejçinoviq Buriq, që kishte marrë pjesë në takim, kishte theksuar se nga shkaqe të caktuara ka pasur vende që nuk janë pajtuar që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat këtë qershor, siç tha ajo, siç ishte dakorduar në takimet e vitit të kaluar. Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Sijarto, nga ana tjetër, vendimin për mosdhënien e datës e qujati një vendim të turpshëm, duke theksuar se vendet e Evropës qendrore kanë dhënë një përkrahje të madhe, veçanërisht vendet e Grupit të Vishegradit, por se vendet perëndimore kishin patur argumente kundër. /Erisa Zykaj – Bruksel/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!