close

BE DHE MAQEDONIA E VERIUT: SHKELJE E PREMTIMIT

Ballkanit i nevojitet një fillim i ri – është titulli i artikullit në gazetën zvicerane “Noje Cirher Cajtung” ku mes tjerash përmendet, siç thuhet, qëndrimi jo i ndershëm i Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut.

Perspektiva evropiane, që Ballkanit ju premtua në Selanik në vitin 2003, për vendet e rajonit mbetet pikërisht kjo – Perspektiva. Bisedimet aderuese me Serbinë dhe Malin e Zi zhvillohen shumë ngadalë, kurse vendet tjera qëndrojnë jashtë. Larg dyerve të BE-së. Kështu thuhet në konstatimin e tekstit të gazetarit të gazetës zvicerane “Noje Cirher Cajtung” Andreas Ernst, që vlerësohet si njohës i shkëlqyeshëm i situatës në Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se një situatë e këtillë po shkakton frustracione në rajon. Gjatë kësaj përmendet se qëndrimi ndaj Maqedonisë së Veriut – vendit që arriti Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit- nuk ka qenë aspak e ndershme se sa ndaj Shqipërisë.

“Diplomacia e Brukselit angazhohej dhe vetëm mbylli njërin sy kur konfirmimi parlamentar i Marrëveshjes së Prespës u realizua me shantazhimin e disa deputetëve. Brukseli lëvdëroi Marrëveshjen e Prespës si historike. Por, kur na Samitin e Qershorit, erdhi koha e shpagimit për Maqedoninë e Veriut, Franca ishte kundër negociatave aderuese. Edhe holandezët vlerësuan se është shumë herët, kurse gjermanët theksuan se kanë shumë pak kohë ta studiojnë raportin e progresit. Këtu lirisht mund të flitet për shkelje të fjalës së dhënë”- transmeton Klan Macedonia shkrimin e gazetës Noje Cirher Cajtung.

Gazeta shkruan se politikanët e Evropës sajojnë programe të ndryshme zëvendësimi siç është “Procesi i Berlinit”, aktivitet i cili në fakt, siç thuhet, mbulon ngecjet. Mbahen Konferenca, jepen premtime për reforma, flitet për projekte të infrastrukturës dhe për të rinjtë. Dhe e gjithë kjo mbetet pa rezultate – thuhet në tekstin e gazetës, ku më tej theksohet:

“Edhe në politikë ka momente kur ndihmon sinqeriteti. Një moment i tillë ka ardhur edhe për politikën e BE-së për Ballkanin. Për një kohë nuk do të ketë zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor. Për këtë mungon vullneti politik në BE. Por, mungon edhe nga ana e kandidatëve. Edhe pse në disa vende ka një progres të caktuar, megjithatë, në shumë fusha mungon vullneti për ndryshime” vlerëson autori i tekstit i cili më pas shtron pyetjen se çka duhet bërë në një situatë të këtillë? Sipas tij, opsioni më i keq do të ishte të vazhdohet sikurse deri më tani, për shkak se besueshmëria është një resurs i kufizuar në marrëdhënie të këtilla dhe është nën kërcënimin që së shpejti të shteret.

“Tani duhet të flitet për modele të reja të integrimit, që janë të zbatueshme për një vit e jo për dekada. Një qëllim që mund të realizohet sa më shpejt është me rëndësi për ndikimin e evropianëve që rajoni sërish të forcohet. Në këtë mënyrë mund të kufizohet edhe ndikimi i forcave tjera në Ballkan, Kinës, Rusisë dhe Turqisë, të cilët tani përfitojnë nga vrimat e besueshmërisë në BE” – thuhet mes tjerash në tekstin e gazetës zvicerane Noje Cirher Cajtung. /Klan Macedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!