Gjithçka varet nga arritjet e vendeve kandidate
Këshilli i Bashkimit Europian ka aprovuar fondet e paraanëtarësimit (IPA 3) të vendeve kandidate për periudhën 2021-2027. Në një tekst të aprovuar thuhet se vendet kandidate duhet të përmbushin disa kritere.
Ndihma e para-anëtarësimit (IPA) i mbështet vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, lidhur me miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe në përputhje me vlerat e kësaj organizate dhe për të adaptuar progresivisht rregullat, standardet dhe politikat e saj.
Në tekstin e aprovuar, thuhet se partnerët që aspirojnë të bashkohen me Bashkimin Europian, duhet të përmbushin disa kritere thelbësore që lidhen me sundimin e ligjit dhe të të drejtave themelore, qeverisjen ekonomike, forcimin e institucioneve demokratike dhe në administratën publike (kriteret e Kopenhagës).
Instrumenti IPA3 do të përqendrohet në mënyrë specifike në përmbushjen e këtyre kritereve. Ai do të aktivizohet gjithashtu edhe për fushën e infrastrukturës dhe ndërlidhjes së vendeve kandidate. Por teksti i aprovuar nga Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së e kushtëzon qartësisht këtë ndihmë.
Në tekst përfshihet mundësia për të reduktuar në mënyrë proporcionale fondet në rastet e regresit ose mungesës së vazhdueshme të përparimit të vendeve kandidate në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, ose për ta ridrejtuar një ndihmë të tillë. /Erisa Zykaj, Bruksel/