Projekte për zhvillimin e qytetit
Në kuadër të projektit ‘BE-ja për ty’, ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar ka qëndruar në Komunën e Tetovës. Ndërkaq, shefi i sektorit për bashkëpunim pranë delegacionit të BE-së, Nikola Bertolini në një punëtori me qytetarët prezantoi mundësitë aktuale të financimit në nivel qendror në tri vitet e ardhshme.
Përkrahja e komunitetit ndërkombëtar në rrugëtimin e Maqedonisë drejt strukturave euro-atlantike është e një rëndësie të veçantë, pikërisht tani kur vendi gjendet një hap larg NATO-s dhe fillimit të negociatave me BE-në – ka theksuar Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi gjatë një takimi me Ambasadorin e BE-së Samule Zhbogar. Në kuadër të projektit “BE PËR TY” nuk u anashkaluan edhe projektet inrastrukturore të karakterit lokal.
Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar deklaroi se BE ka projekte të mëdha për Maqedoninë, siç tha, pa bërë dallime dhe pa anashkaluar asnjë qytet të vendit.
“Kemi projekte të mëdha për Maqedoninë, poashtu edhe për qytetin e Tetovës dhe sëbashku me kryetaren i diskutuam projektet për zhvillimin e qytetit. Ne si BE nuk bëjmë ndarje në bazë të lokacioneve gjeografike për investimet që bëjmë. Uroj që të ketë më tepër projekte në Tetovë dhe rajonin e Pollogut.”- deklaroi Samuel Zhbogar – Ambasadori i BE-së në Maqedoni.
Ndërkaq në Shkollën e Mesme “7 Marsi” është zhvilluar punëtoria ‘BE-ja për ty’, e cila kishte për qëllim njohjen e autoriteteve vendore, organizatave qytetare, afaristëve dhe të tjerë me mundësitë aktuale të financimit në nivel qendror në tri vitet e ardhshme. I pranishëm ishte shefi i sektorit për bashkëpunim pranë delegacionit të BE-së, Nikola Bertolini. /Blerona Jakupi/