BE nuk do të humbasë më kohë në Kosovë

Kryengociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen me 04 Prill në Bruksel të ftuar nga ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajҫak. Synimi i BE: të çojë përpara ujdinë e arritur në Ohër dhe të fillojnë hapat e parë drejt zbatimit.

BE nuk po humb më kohë pas Marrëveshjes së Ohrit më 18 mars dhe po kërkon nisjen e hapave të parë të zbatimit. Zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë takohen të martën (04.04.)në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizim të marrëdhënieve. Takimi ndërmjet kryenegociatorëve, atij të Kosovës Besnik Bislimi dhe të Serbisë Petar Petkoviq, konfirmohet për datën 04.04, nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano dhe është i pari që nga 18 marsi, kur krerët e të dyja vendeve u pajtuan të zbatojnë planin e mbështetur nga perëndimi. “Ajo që mund të them në këtë moment është se një takim i kryenegociatorëve do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel. Ata janë ftuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për të çuar përpara gjithçka që është arritur në Ohër dhe të fillojnë të bëjnë hapat e parë drejt zbatimit. BE pret që Kosova dhe Serbia të fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër”, tha zëdhënësi i Peter Stano. Sipas tij, “të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatim të shpejtë dhe në mirëbesim”.

Kjo është ajo për të cilën po punojmë, ka thënë Peter Stano. “Ne kemi filluar nga ana jonë për të funksionalizuar hapat e parë, që do të thotë të fillojmë të rregullojmë pozicionin e përbashkët të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim për Sebinë dhe për rastin e Kosovës”, tha zëdhënësi Stano.

Realizim i marrëveshjeve të arritura

Propozimi evropian, apo siҫ njihej më herët ‘plani franko-gjerman’ për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 27 shkurt në Bruksel e më 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, parasheh njohje të dokumenteve dhe simboleve, respektim të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të njëra tjetrës, që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh po ashtu edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë, përfshirë atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Franca dhe Gjermania ndërkohë i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim nga ambasadorët e këtyre vendeve në Kosovë. Ambasadori i Francës, Olivier Guerot, tha se pret që “qeveria e Kosovës të nisë bisedimet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa, nga lideri i Serbisë “pret që ai t’i respektojë obligimet që ka marrë dhe se në të kundërtën do të ketë pasoja për të dyja palët”. “Është shumë herët të thuhet, se cilat do të jenë pasojat dhe tani duhet të fokusohemi tek përfitimet”, tha Guerot, gjatë një debati në një qendër mediale në Çagllavicë, ku u debatua për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Edhe ambasadori i Gjermanisë Jörn Rohde, që ishte pjesë e debatit, u shpreh optimist për zbatimin e marrëveshjes. “Tani kemi edhe vullnetin politik të aktorëve”, tha ambasadori Rohde, duke shtuar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është një “obligim afatgjatë”. Ai tha se  Kosova duhet të respektojë pjesën që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq Serbia nuk duhet të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. “Kjo marrëveshje do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës”, tha ambasadori gjerman.

Reagime pas incidenteve në veri

Ndërkohë në veri të Kosovës incidentet vazhdojnë. Sipas policisë, gjatë dy ditëve të shkuara,  persona të panjohur u vunë flakën disa veturave të serbëve që mbanin targa të Republikës së Kosovës me inicialet (RKS). Kjo ka ndodhur edhe më parë. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë,  në reagimin e tij, tha se “dhuna nuk është asnjëherë opcion”.”Unë kam besim të plotë që autoritetet kosovare do të hetojnë rastet plotësisht dhe do të sjellin përgjegjësit para drejtësisë”, tha Rohde. Kreu i zyrës së BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se “dëmtimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, ka synim frikësimin e popullatës lokale”. “Kjo është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë aktorët relevant”, tha Szunyog.

Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, dhe ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-tit. “Të gjithë aktorët seriozë politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetimet e shpejta për këtë kriminalitet janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet”, tha ambasadori Abbot.

Komuniteti ndërkombëtar parreshtur bën përpjekje që Kosova dhe Serbia të mund të mormalizojnë marrëdhëniet përmes një marrëveshje gjithpërfshirëse. Aneksi i zbatimit të marrëveshjes që Kosova dhe Serbia u pajtuan në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë nuk u nënshkrua dhe kjo nxiti mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ajo është detyrim ligjor.

Por Bashkimi Evropian ka theksuar, se kjo marrëveshje, është ligjërisht e obligueshme dhe se do të bëhet pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian. Autoritetet në Kosovë i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë sjelljen e Serbisë, e cila sipas kryeministrit të Kosovës, po refuzon të nënshkruajë pajtimin e arritur në Ohër, për të cilën kryeministri Kurti thotë, se  “ishte i gatshëm ta nënshkruaj”.Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më herët se Serbia do ta zbatojë marrëveshjen, përveҫ  pjesëve që kanë të bëjnë me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share