Franz Beckenbauer është vënë nën hetim për korrupsion. Akuza vjen nga Prokuroria Federale e Zvicrës, e konfirmuar zyrtarisht edhe për ish-presidentët e Federatës Gjermane të Futbollit, Theo Zwanzigerdhe Wolfgang Niersbach, ashtu si edhe për ish-sekretarin e përgjithshëm të DFB-së, Horst R. Schmidt, me të cilin Beckenbauer ka bashkëpunuar për zhvillimin e Kupës së Botës 2006.
Dosja ndaj “Kajzerit” është hapur më 6 nëntor 2015. Deri tani dihet vetëm se po hetohet çdo detaj që zbulon pagesat e dyshimta të ish-kampionit të botës për organizimin e Botërorit në Gjermani, por nuk theksohet se për secilin të akuzuar ka një akuzë apo çështje të posaçme.
Shuma e menduar si e përdorur nga disa njerëz dhe jo vetëm Beckenbauer është rreth 10 milionë franga zvicerane. Ndër të tjera, thuhet se paratë kanë shkuar për kompaninë “KEMCO” në Katar, ku në prapaskenë del emri i ish-zyrtarit të FIFA-s, Mohammed Bin Hammam, i përjashtuar përgjithmonë nga çdo detyrë në futboll me akuzën e korrupsionit. Bazuar te raportimet e fundit, ende nuk dihen arsyet e lëvizjeve të shumta të pagesave të dyshimta në llogaritë e gjermanit Beckenbauer. /Agjencitë/