BEG: Nuk kemi asnjë detyrim të vazhdojmë aktivitetin në sezonin e ri të ngrohjes

Ballkan Energji Grup BEG – Prodhimtaria nuk ka bazë ligjore për të menaxhuar me ngrohtoret, nuk ka obligim të vazhdojë aktivitetin në sezonin e ri të ngrohjes, as nuk ka asnjë mundësi financiare apo aftësi kreditore për të blerë lëndë djegëse për prodhimin e energjisë termike. Kështu ka theksuar sot kompania BEG – Prodhimtaria në kumtesë pas informimit se duhet të vazhdojë furnizimin me energji termike edhe në sezonin e ri të ngrohjes deri në përzgjedhjen e bartësit të ri të licencës.

Prej kompanisë theksojnë se në përputhje me nenin 51 të Ligjit për energjetikën, kishin detyrim ligjor që të vazhdonin ushtrimin e aktivitetit, deri në skadimin e afatit prej 90 ditë për zgjedhjen e ushtruesit të ri të aktivitetit, i cili tashmë ka skaduar. Gjatë kësaj periudhe, thonë ata, BEG Prodhumtaria ka vazhduar të kryejë aktivitetin dhe ka kryer të gjitha aktivitetet e nevojshme në ngrohtoret në mënyrë që mbajtësi i ri i licencës të mund të fillojë pa probleme sezonin e ri të ngrohjes.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“BEG Prodhimtaria nuk ka bazë ligjore për shfrytëzimin e ngrohtoreve sepse marrëveshja është ndërprerë dhe pronari i ri i ngrohtoreve ka kërkuar dorëzimin e tyre. Gjithashtu, kompania është në pamundësi financiare për të kryer aktivitetin, për shkak të humbjeve të mëdha të shkaktuara në sezonin e kaluar të ngrohjes si pasojë e rritjes disafish të kostove për blerjen e energjisë dhe energjisë elektrike, të cilat nuk mbuloheshin nga tarifat e miratuara nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. Për këto arsye më 09.06.2022 BEG – Prodhimtaria ka paraqitur kërkesë në KRRE për ndërprerjen e licencës me qëllim zgjedhjen e menjëhershme dhe pa probleme të bartësit të ri të licencës për aktivitetin e prodhimit të energjisë termike për sezonin e ri të ngrohjes. Më datë 20.06.2022 KRRE ka marrë vendim për ndërprerjen e licencës së BEG-Prodhimtari”, thuhet në kumtesë.

Në lidhje me marrëveshjen për bashkëpunim afarist-teknik ndërmjet BEG Prodhimtari dhe SHA “ESM”, thonë se vlefshmëria e saj ka qenë deri më 31 mars të këtij viti, gjegjësisht ka skaduar.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka deklaruar në fundjavë se derisa të zgjidhet një operator ekonomik, BEG duhet të dorëzojë energji ngrohëse. Në përputhje me ligjin, siç theksoi Bytyqi, BEG duhet të ketë edhe rezerva gazi dhe lëndë të tjera të para për të siguruar energji ngrohëse.

Hapja publike e ofertave për zgjedhjen e kompanisë që do të prodhojë, shpërndajë dhe furnizojë me energji ngrohëse për konsumatorët në një pjesë të qytetit të Shkupit është mbajtur më 13 shtator. Ofertat janë dorëzuar nga SHPK ESM PRODHIMTARIA E NGROHJES Shkup, SHPK ESM SHPËRNDARJA E NGROHJES Shkup, SHPK ESM FURNIZIMI I NGROHJES Shkup, tre kompanitë që janë formuar pas revokimit të licencave të BEG./MIA

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share