close

BEOGRAD: SHUHET BORKA PAVIQEVIQ

Ndër të rrallët që doli në mbrojtje të shqiptarëve


Në Beograd ka ndërruar jetë Borka Paviqeviq, intelektuale e shquar, dramaturge dhe drejtoreshë e Qendrës së Dekontaminimit Kulturor. Krahas angazhimit në fushën e kulturës e të teatrit e ndjera është marrë edhe me veprimtari politike. Për shkak të kundërshtimeve të veprimeve luftënxitëse në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, më 1993, u revokua nga posti i drejtoreshës artistike të Teatrit Beogradas të Dramës.

Është shuar, në moshën 72 vjeçare, Borka Paviqeviq, një nga intelektualet e rralla serbe që fuqimisht ngriti zërin fillimisht kundër Milosheviqit dhe deri para vdekjes edhe kundër politikës së presidentit aktual serb, në përkrahje të shqiptarëve dhe të Kosovës para dhe pas luftës, por edhe komuniteteve të tjera etnike, më të vogla, përfshirë këtu dhe boshnjakët.

Borka Paviqeviq u lind në Kotor të Malit të Zi, më 1947. Më 1971 u diplomua në Alkademinë për Teatër, Film, Radio e Televizion në Beograd. Punoi në Teatrin e Dramës dhe atë Atelje 212, të Beogradit, por ishte e pranishme edhe në skenat teatrore të qendrave të tjera të Ish-Jugosllavisë.  Më 1993 u hoq nga posti i drejtoreshës artistike të Teatrit Beogradas të Dramës për shkak të pikëpamjeve dhe veprimtarisë publike politike. Kjo nodhi kur Slobodan Milosheviq ishte në kulmin e pushtetit të tij diktatorial nacional-shovinist të Millosheviqit. Ishte pjesë e Lëvizjes Qytetare të Rezistencës kundër regjimit të tij dhe në vitin 1994 themeloi dhe e drejtoi Qendrën për Dekontaminim të Kulturës në Beograd, përmes të cilës jo njëherë gjatë dekadave u artikuluan pikëpamje e u bën thirrje kundër politikave të papranueshme të pushtetarëve serbë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Për pikëpamjet dhe angazhimet e saj për paqe e kundër luuftës, Borka Paviqeviq mori mirënjohje e çmime të shumta ndërkombëtare. Ndër të tjera është laureate e çmimit të Fondacionit Hiroshima për Paqe e Kulturë më 2004, çmimit “Ruts” të Fondacionit Kulturor Europian në vitin 2009 dhe e Dekoratës së Legjionit të Nderit të Francës më 2002 e të tjera. /Seladin Xhezairi/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!