Tifozët e Klubit të Futbollit Cërvena Zvezda nga Beogradi kanë miratuar vendosjen e një tanku të vjetër ushtarak para stadiumit të tyre para ndeshjes futbollistike në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve. Tanku ka shkaktuar reagime të ashpra nga Kroacia fqinje që kishte zhvilluar luftëra të përgjakshme për pavarësi nga ish-Jugosllavia.
Bëhet fjalë për një tank të vërtetë sovjetik të tipit T-55 që ishte shfrytëzuar gjatë shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta. Tanku është parkuar në afërsi të Tribunës së rezervuar për ithtarët më të ashpër të klubit nga Beogradi “Cërvena Zvezda” të njohur si “Delije”. Mediat kroate kanë publikuar se tanku paraqet një provokim të qartë dhe një skandal duke kërkuar reagimin e UEFA-së. Por tifozët e Cërvena Zvezdës vlerësojnë se tanku është simbol i parullës së tyre “Makina e Zvezdës filloi me punë” dhe se nuk paraqet provokim.
“E pashë në Facebook se kroatët po ankohen. Ata nuk na duan, por për mua kjo është një punë shumë e mirë.” –tha Borislav Daniloviq.
“Lexoj lloj lloj gjërash në media, por kjo është sport. Nuk shoh provokime.” –deklaroi Stanisha Bosiokoviq.
Autoritetet serbe tankun e kanë përshkruar si replikë.
“I ngjan tankut, dhe I ka të gjitha elementet, por që janë përpunuar. Do të thotë nuk bëhet fjalë për tank, dhe nuk bëhet fjalë për dicka që mund të rrezikojë jetën.” -shprehet Nebojsha Stefanoviq, ministër i Brendshëm serb.
Përfaqësues të armatës serbe kanë saktësuar se në brendësi të tankut nuk ka asnjë pajisje dhe se paraqet një pjesë muzeale.
“Nuk ka motor, transmission, janë mënjanuar të gjitha aparatet optike dhe në këtë situatë ky tank është vetëm maketë dhe eksponat muzeu.”-vlerëson Milan Gujanica, Armata serbe.
Vendosja e tankut para stadiumit erdhi disa ditë pasi persona të maskuar kishin sulmuar dy lokale në Kroaci, derisa serbë etnikë ishin duke e ndjekur ndeshjen e parë mes Jang Bojsit dhe Zvezdës. Gjatë përleshjes ishin lënduar pesë persona. Incidenti ka ndezur retorikën luftarake mes politikanëve serbë e kroatë. /Klan Macedoni/