Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se Shqipëria do të marshojë me protesta kundër qeverisë. Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, Berisha tha se data e protestës së radhës do të njoftohet sapo të konsultohet data dhe theksoi se “Tirana do derdhet e tëra në protestë dhe Shqipëria do marshojë në Tiranë”.
“Absolutisht do njoftohet data e protestës dhe do të organizohet protesta më e fuqishme. Sot s’kam datën sepse datat do të konsultohen, por Tirana do derdhet e tëra në protestë dhe Shqipëria do marshojë në Tiranë. Do e shihni ju protestën sepse nuk ka shqiptar që të pranojë një kryeministër si ky. Një kryeministër që i korrupton vendit partner një nga dy tre njerëzit kryesor si punonjës të sigurisë së tyre, një kryeministër që paguan dhe përdor si lidhje për të shkatërruar dhe për t’i dhënë një goditje tmerrësisht të rëndë opozitës. Këtu nuk ka më. Çdo gjë është në dritën e dielli. Shqiptarët, jam i bindur, që nuk do ia falin kurrë Edi Ramës. S’do pranojnë kurrë një kryeministër të tillë”, u shpreh Berisha.
Sa i përket hetimit të çështjes së ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, Berisha u shpreh se kreu i qeverisë Rama ka kryer një akt të shëmtuar sepse ka përdorur një nga njerëzit më kryesorë të sigurisë në SHBA për t’i dhënë goditje shkatërruese opozitës. Sipas Berishës gjithçka është bërë që të merret peng Basha. Për këtë të fundit tha se duhet që të thotë se kush është burimi i parave që ka marrë.
“Akti më i shëmtuar i Ramës është se ai ka përdorur njeriun nga më kryesorët të sigurisë së SHBA për t’i dhënë një goditje shkatërruese opozitës. Shumë pyesin. Por çfarë iu desh Edi Ramës kjo? Iu desh për ta marrë peng me dosje. Këta bëhen naivë. Iu desh, siç e mori peng, me dosjen. Dosja për financimin. Absolutisht një hetim i turpshëm se unë e kam parë. Shkoi në Apel, nuk e lejoi të dërgohet në Gjykatë të Lartë. Nuk e lejoi Rama dhe i tha të shpëtova ty tani. Faktet janë këto. Edhe tani Lulzim Basha ka rastin të thotë që paratë nuk i kam marrë nga rusët, por paratë i kam marrë nga ky burim. Një gjë është e sigurt të them tjetrën tani. Pavarësisht nga të gjitha këto që kanë ndodhur, por e sigurt 100% është që rusët para kanë shpërndarë. Ka marrë apo jo Lulzim Basha, atë ta thotë Basha. Raporti thotë ka marrë. Unë gjersa Basha nuk e përgenjështron nuk mund të them ndryshe. Ai nuk ndjen përgjegjësi, sepse një njeri që ndjen përgjegjësi më minimale, njeriu publik del jashtë vetes së tij dhe ndonjëherë detyrohet të shkelmojë dhe mbi veten e tij për interesin publik”, u shpreh Berisha./tvklan.al