Berisha thirrje liderëve evropian: Kujdes xhepat, kur t’i jepni dorën Ramës

Në deklaratën e përjavshme për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka vënë theksin tek protesta e thirrur ditën e nesërme në orën 12:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, ditë ku do të mbahet samiti Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Gjatë fjalës së tij, krydemokrati Berisha është shprehur se ky samit përbën mbështetjen më të madhe për Partinë Demokratike dhe popullin opozitar.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sali Berisha: Në aktin e mbështetjes më të madhe të vlerave evropiane. Në këtë kontekst, ky samit përbën mbështetjen më të fuqishme për PD-në dhe popullin opozitar. Për faktin e vetëm se kjo parti, pas përmbysjes së diktaturës oruelliane të baballarëve të Edi Ramës, aktualisht e shndërruar në një parti droge dhe krimi, partia e tij e kam fjalën, vendosi në Shqipëri, rendin e ri demokratik, të bazuar në vlerat evropiane. Është kjo parti, e cila në tre dekada, qëndroi lokomotivë e vërtetë e proceseve të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në NATO. Samiti është një mbështetje e madhe për demokratët shqiptarë, sepse është kjo parti në qeveri, e cila firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila liberalizoi vizat me suksesin e reformave të saj, mori rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Në këtë aspekt, samiti i nesërm përbën mbështetjen më të madhe për aspiratat dhe idealet demokratike të saj.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se “ditën e nesërme populli opozitar, do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste të fuqishme”.

Edhe pse Policia në kuadër të masave për mbajtjen e samitit BE-BP, prerazi i ka ndaluar opozitës tubimin për shkak të masave të sigurisë për samitin e BE-së në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, PD-ja nuk tërhiqet nga mbajtja e protestës aty. Kryedemokrati Berisha në daljen për mediat u bën thirrje qytetarëve që të dalin dhe të mbushin Bulevardin e Tiranës më shumë se kurrë më parë.

Sali Berisha: Por nesër ne, populli opozitar, do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste, në një protestë të fuqishme pikërisht në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara dhe kërcënuara nga Edi Rama dhe regjimi i tij. Çdo shqiptar që e do këtë vend, që do lirinë, dinjitetin njerëzor, të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij në liri, dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, bashkohet nesër në shesh me ne, për t’i dëshmuar, lidershipit evropian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Rama. Për t’i dëshmuar lidershipit evropian se njeriu që qëndron si përfaqësues i Shqipërisë në atë samit, e ka pushtetin të ngritur mbi dhunimin e votës së lirë të shqiptarëve. E ka pushtetin të ngritur mbi drogën, trafiqet, mbi narkoshtetin që ka ndërtuar në Shqipëri. E ka pushtetin dhe karrigen e tij të ngritur mbi vjedhjet e mëdha, të paimagjinueshme për një vend evropian, që u bën qytetarëve shqiptarë. Është e vërtetë që ai ulet aty si kryeministër i Shqipërisë, por është e vërtetë se ai ulet si kryehajdut i Shqipërisë gjithashtu.

Ju keni konstatuar këto ditë, se si këta bosë të mafias shqiptare, ballkanike dhe evropiane, janë tronditur gjer në palcë nga vendosmëria e opozitës për të dalë në protestë. Se si këta, përpiqen të përdorin samitin për të shtypur dhe mohuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Se si këta janë tmerruar nga protesta, e cila do i dëshmojë lidershipit evropian, se Edi Rama është njeriu i dhunimit të votës, i lidhjeve të krimit. Ai i ka shndërruar shqiptarët në njerëz të varkave. Të dashur opozitarë dhe opozitare, nesër më shumë se kurrë, ne do të duhet bëjmë gjithçka për të mbushur Bulevardin e Tiranës. Është një rast i artë, është një detyrim madhor politik, moral, ligjor dhe i gjithanshëm, që ne të bëjmë prezent përpara botës, realitetin dhe rrezikun ekzistencial që kërcënon kombin shqiptar.

Kryetari i PD-së Berisha në mbyllje të fjalës së tij ka thënë se do të ishte e pafalshme nëse nuk do të jenë të gjithë në protestën e ditës së nesërme, në atë që kryedemokrati e quan “protesta më e madhe që ka njohur Shqipëria”.

Sali Berisha: Unë e di, që ata që mblidhen nesër, sigurisht nuk mund të garantojnë votën tonë të lirë, por të paktën ta dinë se njeriu që kanë përballë, e ka karrigen e kalbur mbi votat e vjedhura të shqiptarëve. Unë e di se ata që mblidhen nesër, nuk mund të na shpëtojnë nga vjedhjet e fondeve publike dhe pasurive publike, por të paktën duhet ta dinë që kur t’i japin dorën atij, të kontrollojnë xhepat.Ai është në fakt kryehajduti i shqiptarëve, i të gjitha kohërave. Do të ishte e pafalshme nëse nuk do të ishim të gjithë në protestën më të madhe, më madhështore që Shqipëria ka njohur në historinë e saj./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share