close

BERLIN: MERKEL DHE MACRON TAKOJNË LIDERËT E BALLKANIT

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jenë sot nikoqirë të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin që do të mbahet në Berlin. Samiti është joformal dhe ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Në këtë samit, pritet të jetë e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe përfaqësuesi i Sllovenisë.

Bazuar në agjendën e Samitit, Merkel fillimisht pritet të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë që edhe ky Samit t’u ndihmojë atyre për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Më pas, Merkel dhe Macron pritet t’u adresohen mediave edhe përmes një konference për gazetarë.

Agjenda vazhdon me mbajtjen e takimit të përbashkët si dhe një darkë pune pas së cilës edhe do të lëshohet një deklaratë me konkluzionet. Pasi që Procesi i Berlinit paraqet vazhdimësi të takimeve të ngjashme që janë mbajtur që nga vitit 2014, në kuadër të konkluzioneve, Samiti pritet të përshëndetë marrëveshjen e arritur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth mospajtimit mbi emrin, duke e cilësuar atë si një shembull për zgjidhjen e suksesshme të konflikteve. Ndërkohë, Merkel dhe Macron pritet që të inkurajojnë edhe Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Procesi i Berlinit, mbështetë kryesisht projektet që përfshijnë dy e më shumë vende, andaj në konkluzionet e përbashkëta pritet që të intensifikohen përpjekjet për themelimin e zonës regjionale ekonomike. Ndërkohë, pritjet në Prishtinë e Beograd janë se në margjinat e Samitit, mund të ketë edhe bisedime rreth mundësive për vazhdimin e dialogut politik në Bruksel për arritjen e një marrëveshjeje historike të normalizimit. Nga Kosova, në Samit do të jenë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kurse nga Serbia, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se nuk mund të ketë dialog apo negociata pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklarata e presidentit të Kosovës bëhet disa orë para se të fillojë Samiti i Berlinit i thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Në margjinat e këtij Samiti, nuk është përjashtuar as mundësia që Merkel dhe Macron të diskutojnë më liderët kosovarë për mundësinë e pezullimit të taksës doganore, për t’i dhënë kështu shans vazhdimit të dialogut politik në Bruksel.

Procesi i Berlinit synon zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimin Evropian. Si proces, është iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014. Nisur edhe nga parimet e zgjerimit të BE-së, zgjidhja e kontesteve bilaterale paraqet një synim dhe angazhim të madh të këtij procesi, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionit kufitare. /Klan Maqedoni/