Ambasadorja amerikane mesazhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut
Ambasadorja e re e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut Kejt Mari Bërns, para se të arrijë në Shkup, përmes një video-mesazhi ju është drejtuar qytetarëve të vendit. Ajo është zotuar se bashkë me autoritetet e Shkupit do të punojnë së bashku për ta integruar vendin në strukturat euro-atlantike.
Ambasadorja e re e SHBA-ve në Shkup Kejt Mari Bërns, e cila së shpejti pritet ta marrë detyrën, përmes një video mesazhi është zotuar se do t`i përforcojë lidhjet mes dy vendeve dhe se do të punojë në integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.
“Tashmë 25 vite punoj si diplomate amerikane në promovimin e sigurisë, progresit, të drejtave të njeriut, sundimit të së drejtës dhe tregjeve të hapura. Maqedonia e Veriut tash ka zgjedhur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Ekipi i Ambasadës së SHBA-ve në Shkup dhe unë, do të punojmë t`i ndihmojmë Maqedonisë së Veriut gjatë kësaj rruge dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi.”-tha Kejti Mari Bërns-Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.
Gjatë një mesazhi të përbashkët me bashkëshortin e saj Skot Gejxh, theksojnë se me padurim presin t`i vizitojnë lokalitetet e njohura të vendit, për të mësuar për historinë dhe diversitetet kulturore.
“Nga Çarshia e Vjetër deri tek Kanioni Matka, Xhamia e Larme në Tetovë, Liqeni i Ohrit edhe më shumë… Presim që së bashku t`i kalojmë këto shtigje.”-deklaroi Kejti Mari Bërns-Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.
Pas konfirmimit të nominimit të saj, muajin e kaluar ajo dha betimin si ambasadore e re SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut. Bërns vjen nga Athina ku kishte ushtruar funskionin e zëvendës ambasadorit të SHBA-ve në Greqi dhe do të zëvendësojë Xhes Bejlin i cili u largua nga funksioni në mars të këtij viti./Klan Macedoni/