close

BETEJA E FUSHË KOSOVËS DHE PRETENDIMET SERBE

630 vjet më pas Serbia mbeti – pa Kosovën


Si sot, këtu e 630 vjet më parë është zhvilluar Beteja e Fushë –Kosovës. Megjithëse një betejë midis ushtrive të principatave të Ballkanit dhe Perandorisë turke, ajo gati-gati është përvetësuar nga historiografia dhe politika serbe. Para tridhjetë vjetësh, Slobodan Milosheviqi, me fjalimin  në Gazimestan, praktikisht paralajmëroi gjakderdhjet e shumta që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë së Titos dhe si një ndër kryeprotagonistët e saj përfundoi në Gjykatën e Hagës për Krime të luftës në Jugosllavi.

Të gjithë pajtohen se Slobodan Milosheviq e nisi shkëlqimin e tij me qëndrimet kundër Kosovës dhe shqiptarëve e në përpjekje për të rikthyer funksionimin e suksesshëm të shtetit serb. Serbia dhe serbët, sikundër dihet, dominonin institucionet shtetërore e ushtarako-policore të ish-federatës jugosllave dhe kjo i mjaftoi atij që duke luajtur në kartën nacionaliste, kundër përçarjes e tradhtisë, të mobilizonte serbët.

Milosheviqi ishte i vetmi që foli në përkujtimin e 600 vjetorit të Betejës së Fushë Kosovës, më 28 qershor të vitit 1989 në Gazimestan dhe ku si për simbolikë, sipas agjencisë Rojters morën pjesë 600 mijë serbë. U duartrokit disa here nga fillimi kur Kosovën e quajti zemër të Serbisë e deri në fund, kur bëri thirrje për unitet, por edhe kërcënoi.

‘Gjashtë shekuj më vonë, sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave. Ato nuk janë të armatosura, megjithëse as ato ende nuk përjashtohen, por pavarësisht se çfarë mund të jenë, ato beteja nuk mund të fitohen pavendosmëri, guxim dhe sakrificë, ’ – deklaroi Milosheviqi duke siguruar masën se 600 vjet pas Betejës së Kosovës Serbia kishte rikthyer integritetin e vet shtetëror, kombëtar e shpirtëror.’

Një kurs i këtillë politik u materializua me suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës, me heqjen e udhëheqjeve të tyre politike, por edhe të Malit të Zi. Në fillim të viteve nëntëdhjetë,  me të ashtuquajturin revolucion antiburokratik, nisën konfliktet e armatosura, fillimisht në Slloveni e Kroaci, për të arritur kulmin, më pas në Bosnjë-Hercegovinë, po edhe në Kosovë.  Trembëdhjetë vjet pas fjalimit në Gazimestan, Milosheviqi përfundoi në Gjykatën e Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.

‘Ne nuk e deshëm atë fatin që përjetoi Kosova. Dhe unë duhet të jem deri në fund krejtësisht i qartë: Përse i akuzuari nuk kundërshtoi shumë kur serbët iknin nga Kroacia? Për shkak se ajo masë i duhej që me të të popullonte Kosovën kur shqiptarët t’i dëbonte nga Kosova. Ky ishte ai plani që kishte i akuzuari: të dëbonte shqiptarët dhe të sillte serbët nga Kroacia. Ky ishte plani i tij dhe të destabilizonte edhe Shqipërinë, ta destabilizonte edhe Maqedoninë,’ – dëshmoi Stjepan Mesiq, kryetar i fundit i Presidencës së Jugosllavisë socialiste, në procesin e Hagës kundër Milosheviqit, duke fajësuar atë se ishte ai që çoi në shpërbërjen e ish-federatës jugosllave. /Seladin Xhezairi/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!