Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 30 prill, para rrethit të dytë të Zgjedhjeve presidenciale 2019, u është drejtuar zgjedhësve myslimanë duke ju bërë thirrje që të votojnë për vlerat evropiane dhe amerikane, siç thonë, për NATO dhe BE.
Siç thuhet në një komunikatë nga Bashkësia Fetare Islame, Lidhja me Evropën e përparuar dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të sigurojë një të sotme dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë besimtarët, pavarësisht se cilës fe i takojnë.
“-Të dielën, më 5 maj, besimtarët myslimanë duhet të dalin masivisht dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare të votës për më shumë të drejta, për shtet ligjor dhe demokratik, për të drejta fetare dhe kombëtare për të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, për anëtarësim në NATO dhe në BE, rrugë të cilën si besimtarë dhe si BFI e kemi trasuar me vite, në vazhdimësi.”- theksohet në komunikatën e BFI-së.
BFI – thuhet në komunikatë-vazhdimisht ka bërë dhe bën thirrje që besimtari i saj, krahas lidhjes me Zotin, të jetë në lidhje edhe me rrethin, me shoqërinë, jo për t’u bërë vegël e ndokujt, por për të pritur prej faktorëve vendimmarrës më të mirën për vetveten dhe për ummetin mysliman. Besimtarët islamë të Maqedonisë së Veriut, siç thuhet në komunikatë, presin shumë nga Presidenti i tyre i ardhshëm, dhe nga vendimet e tij, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. /Klan Maqedoni/