“Më falni që po iu ndërpres derisa po flisni gënjeshtra.”- tha Bojan Jovanovski.
Këto ishin fjalët e vetme të Bojan Jovanovskit, njëri nga dy të dyshuarit shantazh ndaj një biznesmeni të njohur, nga i cili dyshohet se kanë përfituar 1,5 milion euro. Por se kush po flet gënjeshtra, do të tregojë procedura gjyqësore, të cilën dy të dyshuarit, Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski do ta presin në paraburgim, të cilin e caktoi Gjykata penale e Shkupit.
Argument i fortë i Prokurorisë Publike ishte fakti se Bojan Jovanovski, u kap në kufi duke tentuar të largohet nga shteti. E sa i përket provave.
“Si prova kemi video xhirime, si dhe audio xhirime nga bisedat telefonike.” – deklaroi Villma Ruskoska, prokurore Publike.
Prokurorja Villma Ruskoska pret që hetimi të përfshijë edhe më shumë persona të dyshuar.
Ajo konfirmoi se janë marrë telefonat e kryeprokurores speciale, Katica Janevës, si dhe prokurores së rastit “Perandoria”, Lile Stefanovska, për të parë se a ka komunikim mes tyre dhe dy të dyshuarve kryesorë. Por Ruskoska tha se nuk i janë bastisur shtëpitë, kurse ata për momentin nuk janë nën hetim, por prova po mblidhen.
“Thashë edhe në konferencë për media se po zhvillohet edhe hetim financiar, për të gjitha pronat që i posedojnë të dyshuarit, për të cilat nuk mund të provojnë se si i kanë fituar, Prokuroria nëse ngrit akuzë, do të kërkojë konfiskimin e atyre pronave.” –theksoi Villma Ruskoska, prokurore Publike.
Sipas Prokurorisë, Bojan Jovanovski paratë i ka marrë nga biznesmeni, duke i premtuar se do të lehtësohet procedura që po zhvillohej ndaj tij. Shuma e plotë që Jovanovski e ka kërkuar ka qenë 8 milionë euro, por ia ka “mundësuar” biznesmenit të njohur që të paguaj në këste. /Furkan Saliu/