close

BOLTON FLET PËR QËNDRIMIN AMERIKAN NDAJ RUSISË

‘Kemi qenë shumë më të ashpër sesa BE-ja’


Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, John Bolton, ka tërhequr vërejtjen për kërcënimin që vjen nga praktika e pandershme tregtare kineze. Këto komente zyrtari amerikan i ka bërë gjatë një vizite në Kiev, duke thënë se për këtë shqetësim kishte folur edhe me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski. Bolton me këtë rast ka komentuar edhe raportet me Rusinë.

Agjencia Rojters njofton se, i pyetur për mundësinë që Kina të blejë firmën ukrainase të motorëve për aeroplan ‘Motor Sich’, Bolton ka vlerësuar se kjo çështje është punë sovrane e Ukrainës, por se Uashingtoni nuk e miraton atë:

“Kemi shprehur shqetësimin për praktikën e pandershme kineze, për kërcënimin e sigurisë kombëtare që e pamë në Shtetet e Bashkuara,’–  tha Këshilltari amerikan për Sigurinë kombëtare, John Bolton, në një konferencë shtypi. Më herët ai në një prononcim për seksionin ukrainas të Radios Evropa e Lirë duke folur për marrëdhëniet e Kievit me Moskën, i bëri thirrje presidenti të sapozgjedhur Zelenski që të jetë i kujdesshëm në zhvillimin e strategjisë së veprimit me rusët, ndaj të cilëve, si reagim ndaj aneksimit të Krimesë, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur qëndrim shumë të ashpër:

‘Mendoj se administrata Trump ka qenë shumë e ashpër. I ka imponuar sanksione të mëdha Rusisë, sanksione ekonomike, dëbim të diplomatëve rusë, mbyllje të objekteve diplomatike ruse, dhe ka ndërmarrë hapa që me të vërtetë kanë pasur ndikim dramatik mbi ekonominë ruse. Nëse i shikoni hapat konkret që kemi ndërmarrë, mendoj se të dhënat janë tepër të qarta. I kemi imponuar Rusisë më shumë sanksione sesa Bashkimi Evropian’.

Zyrtari i i lartë i Shtëpisë së Bardhë sot qëndron në Minsk për të biseduar me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko i cili është në ballë të kësaj republike ish-sovjetike që prej 25 vjetësh. Agjencia Frans Press thotë se Moska këtë vizitë mund ta shikojë shumë keq për shkak se Bjellorusinë e konsideron si partner të vetin të rëndësishëm. /Klan Macedoni/