Boris Johnson është zgjedhur për të qenë pasuesi i Theresa May për të drejtuar Britaninë e Madhe si kryeministër.
Boris Johnson, politikani që ka premtuar se do të largojë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Evropian me apo pa marrëveshje më 31 tetor, do të zëvendësojë Theresa May-n në rolin e kryeministrit, pasi ka fituar garën për të parin e Partisë Konservatore në Britani, ditën e martë.
Fitorja e tij rrezikon që të bllokojë procesin e Brexitit, pasi ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që teton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.
Johnson, i konsideruar si fytyra e referendumit të vitit 2016 për Brexit, ka fituar votat e 92,153 anëtarëve të Partisë Konservatore, në krahasim me 46,656 sa ka fituar rivali i tij, Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt.
Kryeministri i ri britanik ka përshëndetur rivalin, Jeremy Hunt duke thënë se ai ka “ide të mrekullueshme” të cilat ka premtuar se do t’i huazojë. Ai po ashtu ka falënderuar edhe kryeministren në shkuarje për shërbimin e saj ndaj shtetit. ipas tij ka qenë privilegj që ka shërbyer në kabinetin e May-t, sepse ka parë pasion dhe vendosshmëri gjatë udhëheqësisë së saj.
May do të largohet nga zyra kryeministrore ditën e mërkurë, pasi të takojë Mbretëreshën Elizabetë në Pallatin Buckingham.
May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.
Pak minuta pas fitores së Johnsonit, lideri opozitar në Britani, Jeremy Corbyn ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se Johnson nuk e ka fituar mbështetjen nga shteti.
Ndërkaq, Presidenti amerikan Donald Trump ka përgëzuar Johnsonin për fitoren e tij.Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo fillimisht parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar duhet të miratojë kushtet e largimit. Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016. /Klan Macedoni/