close

BUGAJSKI: SHKËMBIMET TERRITORIALE ME EFEKT PËR TËRË RAJONIN

Analisti amerikan për efektet e Marrëveshjes së Prespës


Analisti dhe eksperti amerikan për Ballkanin, Janush Bugajski, ka deklaruar se vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Beograd ka qenë në funksion të konsolidimit të pozicionit të Rusisë në Ballkan. Sipas tij, Marrëveshja Maqedoni- Greqi mund të jetë një model i mirë edhe për zgjidhjen e kontesteve të tjera në rajon, në radhë të parë mes Kosovës e Serbisë, por edhe që Bosnjë Hercegovina të bëhen shtet unik.

Eksperti i njohur  amerikan për zhvillimet në Balkanin Perëndimor, Janush Bugajski, ka deklaruar për të përditshmen malazeze POBJEDA se vizita e paradokohshme e Vladimir Putinit në Beograd duhej të konsolidonte pozicionin e Rusisë në Ballkan: ‘Serbia dhe Rusia nuk kanë ndonjë aleancë të afërt, por një lidhje asimetrike në të cilën Kremlini eksploaton dominimin e vet dhe trajton Beogradin si një surrogat,’ – ka deklaruar Bugajski duke nënvizuar se nga debati aktual për ndryshim të kufijve Putini  mund të ketë leverdi për realizimin e dy qëllimeve: ‘Së pari, kontestet tokësore të miratuara nga fuqitë perëndimore  mund të jenë preceden për Krimenë, Donbasin dhe rajonet e tjera të cilave Rusia ua ka vënë syrin,’ dhe së dyti ‘Kremlini llogarit se ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të krijojë kaos për NATO-n dhe Bashkimin Evropian, sepse do të stimulojnë thirrjet për krijimin e shteteve të reja nga të cilat Moska mund të ketë leverdi.’

Analisti i njohur amerikan tërheq vërejtjen se efekti i shkëmbimeve territoriale mund të ketë ndikim jo vetëm tek shtetet si Bosnjë Hercegovina, por mund të përziejë edhe anëtarët e NATO-s – Shqipërinë, Kroacinë dhe Malin e Zi.

I pyetur nëse Marrëveshja e Prespës mund të ndikojë pozitivisht për zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura në Ballkan, Janush Bugajski, në të përditshme POBJEDA të Podgoricës nuk e përjashton një mundësi të këtillë:

‘Nëqoftëse Greqia mund ta njohë Maqedoninë me një emër paksa të ndryshuar, por ta njohë edhe identitetin dhe gjuhën maqedonase që dallon nga trashëgimia greke, atëherë Serbia mund ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe komb të veçantë.  Nëqoftëse Maqedonia mund të zgjidhë kontestet e veta të brendshme ndëretnike me hyrjen në NATO dhe duke iu afruar aderimit në Bashkimin Evropian, atëherë ekziston shpresa se Bosnjë Hercegovina mund të bëhet një shtet unik,’- ka deklaruar Janush Bugaski.

Duke folur për strategjinë amerikane për Ballkanin, Bugajski thotë se ajo nuk ka ndryshuar gjatë administratës së presidentit Tramp, por disa taktika – po: ‘Uashington në radhë të parë është fokusuar në zgjidhjen e kontesteve të mbetura ndërshtetërore, veçmas mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe Serbisë e Kosovës,’- thotë eksperti amerikan për Ballkanin duke përfunduar se ashiqare asnjë çështje nuk është hequr nga tavolina, përfshirë edhe shkëmbimet potenciale territoriale. Gjithë kjo, sipas tij, me qëllimin përfundimtar që rajoni të jetë i integruar në Bashkimin Evropian dhe në  NATO për sigurimin e një qëndrueshmërie dhe parashikimi më të lartë dhe që në të ardhmen të evitohet asistimi i trupave amerikane. / Seladin Xhezairi/