close

BUXHOVI: SERBIA TA NJOHË KOSOVËN

Kosova po bën përgatitjet e duhura për takimin e Parisit që mbahet më 1 korrik, si vazhdimësi e Samitit të Berlinit dhe ku temë e vetme kësaj radhe do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, një përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet dy vendeve. Sipas publicistit Jusuf Buxhovi me Serbinë mund të bisedojmë në mënyrë të barabartë vetëm atëherë kur të njihet shteti i Kosovës nga ta.

Ndonëse akoma nuk ka një draft të shkruar për një marrëveshje eventuale, edhe në Prishtinë edhe në Beograd janë skeptikë, nëse takimi i Parisit mund të rezultojë me ndonjë marrëveshje, për shkak se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Publicist Jusuf Buxhovi, gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Tetovës është pyetur rreth një kompromisi të mundshëm mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai ka thënë se kompromiset janë të dëmshme dhe se shteti i Kosovës duhet të njihet nga Sërbia.

“S’ka zgjidhje kompromise, duhet të njihet shteti i Kosovës nga ana e Sërbisë. Gabimi më i madh i politikës shqiptare që thotë të bëjmë kompromis me serbët. Shteti i Kosovës duhet të njihet dhe është pozicioni i hapur juridiko-diplomatik çfarë parashihet në relacionet ndërkombëtare vetëm si shtete të barabarta, kompromiset janë të dëmshme, nuk kemi nevojë për kompromise.”tha Jusuf Buxhovi – Publicist.

Në takimin e Parisit më 1 korrik, nikoqirë të të cilit janë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shtetit të Serbisë, ndërsa nga pala kosovare tashmë e konfirmuar, se do të marrin pjesë Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, si edhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. /Klan Maqedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!