Kronikani i historisë Jusuf Buxhovi pasuron historiografinë edhe me një vepër voluminoze mbi Maqedoninë që nga koha e antikitetit deri në kohën tonë. Në këtë libër që u promovua sot në hapësirat e Universitetit të Tetovës, Buxhovi eksploron të gjithë historinë e Maqedonisë.
“Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” është libri i fundit i autorit Jusuf Buxhovi. Në qendër të këtij libri janë shqiptarët, pavarësisht vendit ku jetojnë, ndërkaq një kapitull i veçantë i kushtohet çështjes së ekzistencës apo jo të popullit maqedon, duke i ftuar lexuesit të diskutojnë e të mendojnë më gjatë për këtë temë.
Fatmir Sulejmani, dekan i fakultetit filologjik në UT, e ka vlerësuar lartë veprën e Buxhovit duke e cilësuar atë kryevepër të historisë shqiptare.
Studimi monografik mbështetet mbi konceptin se Maqedonia nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë është pjesë e botës ilire-dardane. Duke u përqendruar te faktorët etnikë, shoqëror-politik dhe kulturor në një vazhdimësi mbi dy mijë vjeçare, në trekëndëshin e mbretërive maqedone, dardane dhe asaj epirote, nxirret në pah një identitet i caktuar historik me trashëgimtar të vetëm shqiptarët e sotëm. /Lulzime Ameti/