close

CIPRAS NË SHKUP: VIZITË HISTORIKE

Gjatë vizitës së Kryeministrit grek Aleksis Cipras në Shkup, me disa marrëveshje për të thelluar bashkëpunimin është plotësuar Marrëveshja e Prespës. Qëllimi është që dobitë nga normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve t`i bindin skeptikët për përfitimet nga marrëveshja e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në konferencën e përbashkët të shtypit, Kryeministri grek ka paralajmëruar se avionë grekë do ta sigurojnë qiellin e Maqedonisë, siç tha, në emër të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit.

Kthesë historike e cila do të hapë epokë të re në Ballkan dhe në marrëdhëniet bilaterale, theksoi kryeministri maqedonas Zaev në konferencën e përbashkët me kryeministrin grek Cipras, i cili është kryemisintri i parë grek që qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Mbështetje ekonomike, investime dhe infrastrukturë. Me masa të këtilla, Kryeministi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ai i Greqisë, duan të përforcojnë implementimin e mëtutjeshëm të Marrëveshjes së Prespës. Për këtë arsye, në vizitën e parë zyrtare të kryeministrit grek, Aleksis Cipras, i shoqëruar nga dhjetë ministra të kabinetit qeveritar, me nikoqirin Zoran Zaev, nënshkruan disa marrëveshje për thellim të bashkëpunimit, me të cilët shpresojnë t`i bindin skeptikët e të dyja vendeve për përfitimet nga Marrëveshja e Prespës.

”Vizita jonë ështe hap historik përpara, për Ballkanin, për Evropen. Jemi këtu për të gjetur zgjidhje për përparim, në vend që të ndërtojmë mure. Greqia do ta mbështesë Republikën e Maqedonisë së Veriut në përpjekjet e saj të vazhdojë me proceset reformuese dhe të jetë pjesë e BE-së. Kjo është e vlefshme, ia vlen të përpiqeni, ne do të jemi këtu ta përkrahim këtë proces.”- Aleksis Cipras-Kryeministër i Greqisë.

Në pyetjen nëse ndryshojnë qeveritë në Greqi, por edhe në Maqedoni, dhe nëse kryeministrat aktual ndjejnë rrezik për Marrëveshjen e Prespës, Zaev shprehu bindjen se përfitimet e marrëveshjes do ti bindin edhe skeptikët më të mëdhenj.

“Përkrahja për Marrëveshjen e Prespës do të ndërtohet 100% në miqësi të sinqertë. Nuk besoj se dikush në të ardhmen do të jetë indiferent, besoj edhe opozita, e cila tani shfaq pakënaqësi, vetëm për shkaqe politike. NATO është e ardhmja jonë, kur të gjithë do t’i shohin përfitimet, deri tani pas Marrëveshjes së Prespës, shkëmbimi tregtar është rritur për 27%, kur t’i shohin përfitimet nga mundësite e reja, do t’i bindin edhe ata që kanë rezerva.” -deklaroi Zoran Zaev-Kryeministër i RMV-së.

Konform marrëveshjeve të nënshkruara ndërqeveritare, Greqia do ta sigurojë qiellin mbi Maqedoni, pa kompensim, me qëllim që ta përforcojë sigurinë nga aksidente dhe akte të jashtëligjshme në këtë pjesë të Ballkanit. Kryeministri Cipras ka theksuar se shumë herë ka fluturuar me aeroplan qeveritar, pilotët e të cilëve kanë anashkaluar hapësirën ajrore të Maqedonisë, që sipas tij, nuk ishte e logjikshme dhe duhet të ndryshohet. Është arritur marrëveshje për ndërtimin e një linjë hekurudhore të shpejtë, që do të bëjë lidhjen e porteve të Pireut dhe Selanikut me tregjet e Evropës Qendrore, kurse do të kalojë përmes Maqedonisë dhe Serbisë. Gjithashtu, sic u tha, do të kthehet në funksion naftësjellësi i përhershëm deri në rafinerinë e Shkupit.

Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, dy kryeministrat i prezantuan para gazetarëve qysh nga duarshtrëngimi në mëngjes para qeverisë, kur disa herë pozuan dhe bënë “selfi”, pamje këto që kanë bërë jehonë në mediat e botës. Kryeministri grek Cipras është takuar edhe me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferin. Siç kanë thënë dy bashkëbiseduesit Marrëveshja e Prespës hap mundësitë për plotësimin e zbrazëtirës prej tri dekadave mes dy vendeve dhe kanë shprehur përkrahjen e proceseve në vijim për miratimin e rregullativës së nevojshme për zbatimin e projekteve që dalin nga Marrëveshja e Prespës. /Biljana Georgievska/