Brazili zhgënjeu përballë Venezuelës në përballjen e parë të raundit të dytë të ndeshjeve në Copa America që po zhvillohet pikërisht në vendin “karioka”.
Në “Arena Fonte Nova” të Salvadorit, në prani të mbi 42 mijë shikuesve, “Seleçao”, përtej dominimit në lojë, nuk arriti t’u shënonte kundërshtarëve, duke marrë vetëm një pikë në këtë sfidë. 0-0 përfundoi ky takim, ku protagonist u bë sërish sistemi VAR.
Arbitri Julio Bascunan u konsultua në tri raste në pjesën e dytë me dhomën e VAR-it, duke mos akorduar një 11-metërsh për Brazilin sapo nisi pjesa e dytë, por ç’është më e rëndësishmja i anuloi “Seleçaos” dy gola, të shënuar nga Gabriel Jesus dhe Philippe Coutinho për pozicion jashtë loje.
Brazili, me këtë rezultat mbetet në krye të Grupit A me 4 pikë, aq sa ka edhe Peruja, që mposhti 1-3 Bolivinë në “Maracana”. Ndeshja e fundit mes Brazilit dhe Perusë do të vendos për fituesin e Grupit “A”.
Sonte në program janë dy ndeshjet e grupit B, Kolumbia – Katari dhe Argjentina – Paraguai. /Agjencitë/