close

DAP-i NUK ËSHTË NË GJENDJE T`I PËRKTHEJË 51 FJALË 

Kryeministri kërkon falje se nuk u përdor gjuha shqipe


Kryeministri Zoran Zaev, bashkë me ministrin e Financave, Dragan Tevdovski dhe drejtoreshën e DAP-it, Sanja Llukarevska, sot e kanë paralajmëruar fillimin e projektit për kthim të 15% të TVSH-së te qytetarët nga 1 korriku, ndërkaq pagesa e parë në xhiro-llogaritë e tyre bankare do të bëhet në dhjetor. Por zbatimi i ligjit për gjuhën shqipe në Drejtorinë e të Ardhurave Publike lë shumë për të dëshiruar.

“Suksesi i realizimit të kësaj mase shumë do të varet edhe përcjellja e informatave deri tek qytetarët kurse ju jeni sytë dhe veshët e tyre.”tha Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

Informatat tek qytetari shqiptar do e ketë më të vështirë që të arrijë për shkak se materiali nuk është përkthyer në të dyja gjuhët, ashtu siç e kërkon ligji.

G: Është pak e pakuptimtë ta parashtroj këtë pyetje sepse për këtë çështje tanimë ekziston ligj dhe nuk duhej të kishte problem… Përse asgjë nuk është në gjuhën shqipe? 
Përse materiali promovues nuk është edhe në gjuhën shqipe?
Përse në ueb faqen tuaj ekziston versioni në anglisht kurse nuk ekziston ai në shqip? 

Z.Z – Po punojmë në këtë drejtim… Të gjitha materialet deri më 1 korrik kur edhe do të startoj zbatimin i masës do të jenë në bazë të ligjeve të shtetit. Nuk mundëm të arrijmë që t’i përkthejmë, kurse dëshironim që ta prezantojmë masën për shkak se mbrëmë kaloi ligji në Qeveri. Unë u kërkoj falje qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare për mospërdorimin e gjuhës së tyre gjatë këtij prezantimi por do të kenë mundësi ta përdorin gjuhën e tyre me fillimin e zbatimit nga 1 qershori. 

5 muaj pasi ligji u publikua në gazetën zyrtare, ueb faqja e Drejtorisë për të ardhura publike, nuk ka version në shqip, kurse institucioneve u ka mbetur vetëm edhe 1 muaj që ti adaptohen kërkesave të ligjit. E duke pasur parasysh se materiali promovues kishte vetëm 51 fjalë dhe nuk arritën t’i përkthejnë, do të jetë sfidë për DAP-in që të aplikojë dygjuhësinë.

Sfidë e vërtetë është edhe për të marr përgjigje nga Drejtori për të ardhura publike… Pyetëm se sa përkthyes kanë të punësuar dhe se kur do të bëhet faqja edhe në shqip, por edhe pse morëm premtim se do të përgjigjen, kjo nuk ndodhi.

Qeveria promovoi një masë me të cilën thonë se do ta luftojnë ekonominë gri. Me aplikacionin “TVSH-JA IME” qytetarët do të kenë mundësi që ti kthejnë 15% të tatimeve nga harxhimet që do ti bëjnë. Gjithçka që duhet të bëjnë është që ta instalojnë aplikacionin, dhe të skanojnë kodin e llogarisë fiskale, dhe në çdo katër muaj paratë do të kthehen në llogaritë e tyre.

“Ne i vendosëm përkufizimet me qëllim që kjo masë të jetë e kapshme për shumicën e qytetarëve, gjegjësisht shumica e qytetarëve të kenë mundësi të kthejnë TVSH-në nga harxhimet e përgjithshme që i kanë bërë. E përkufizuam që në nivel katër muajsh, shuma maksimale e kthimit të TVSH-së të jetë 1800 denarë, ajo do të thotë se përafërsisht duhet të paguhet tatim rreth 4mijë denarë apo të harxhohet rreth 25mijë denarë në muaj për person.”shprehet Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

Qëllimi është që të kërkohet llogari fiskale që të legalizohen paratë e zeza që po qarkullojnë në treg. Kryeministri tha se evazioni fiskal është rreth 30%, e me këtë masë, përveç kthimin e parave tek qytetarët, synohet edhe zvogëlimi i evazionit fiskal. /Furkan Saliu/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!