Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka avancim në mediat dhe gjyqësi, por mbetet të zgjidhen edhe disa probleme të rëndësishme si korrupsioni, theksohet në raportin më të ri për të drejtat e njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 ka ndërmarrë aktivitete për të hulumtuar, akuzuar dhe të dënuar persona zyrtarë policorë të cilët kanë bërë keqpërdorime, ndërsa autoritetet në vend kanë pasur kontroll efektiv ndaj shërbimeve të sigurimit, por megjithatë ekziston nivel i lartë i korrupsionit, thuhet në raport. Më tej qëndron se “Qeveria ose agjentët e saj nuk kanë kryer vrasje arbitrare ose të paligjshme”.
“Burgjet dhe paraburgimet shtetërore nuk arritën t’i implementojnë standardet ndërkombëtare dhe në disa raste, në pajtim me raportin për parandalim nga tortura e Këshillit të Evropës nga tetori i vitit 2017, kushtet do të mund të përshkruhen si mizore, johumane dhe degraduese”, thuhet në raport.
Lidhur me ngjarjet në Parlament më 27 prill të vitit 2017 dhe zgjidhjen gjyqësore të rastit, thuhet se 33 persona janë akuzuar për “terrorizëm dhe rrezikim të rendit kushtetues”. Më tej qëndron se “partia opozitare VMRO-DPMNE pohon se aktakuzat kundër 33 personave, duke i përfshirë edhe anëtarët e Parlamentit, ishin politikisht të motivuar dhe të ekzagjeruar. Nuk ka dëshmi se Qeveria ka refuzuar qasjen e organizatave humaniatre dhe grupeve tjera për të drejtat e njeriut deri tek këta të burgosur”. Në pajtim me raportin, Qeveria ka bërë progres në respektimin e lirisë së medieve dhe lirinë e të shprehurit, edhe pse problemet si pavarësia e dobët mediatike, dhuna dhe frika e gazetarëve, mbesin.
“Ka disa raporte se Qeveria i ka detyruar gazetarët në autocenzurë. Komisioni Evropian, në raportin nga 17 prilli, vëren se nuk ka avancim në mbrojtjen e kushteve të punës së gazetarëve, si rezultat i asaj që ata ende praktikojnë autocenzurë”, thonë nga Departamenti Amerikan në raportin më të ri.
Në përgjithësi, në botë raporti vëren edhe vrasje, mungesë të lirisë të të shprehurit dhe restrikcione për pjesëmarrje politike në Venezuelë, të drejta ekstreme të keqësuara të njeriut në Iran dhe Kinë, përderisa për Rusinë thuhet se ekzistojnë shumë raporte për atë se autoritetet ose agjentët e tyre kanë kryer vrasje mizore ose të paligjshme.
Raportin për të drejtat e njeriut në të cilin detajizohet situata e të drejtave të njeriut individualisht për çdo vend, Departamenti Amerikan e parashtron deri tek Kongresi në miratim. Raporti publikohet rregullisht nga viti 1976. /Klan Maqedoni/