close

DEBATET PRESIDENCIALE DHE SHQIPTARËT

Kandidatët me arsyetime se nuk kanë gisht në vuajtjet e shqiptarëve  


Ashtu siç pritej, pjesa më e nxehtë e debatit të parë të rrethit të dytë mes dy kandidatëve për President ishte për shqiptarët. Të dy kandidatët i numëronin të bërat e Qeverive të kaluara ndaj shqiptarëve dhe tentonin që fajin t’ia hedhin njëri-tjetrin.

“Kam frikë se keni qenë të shpërblyer për aksionet e “suksesshme” në Gostivar dhe Tetovë… Episodi më turpshëm i politikës maqedonase ndaj shqiptarëve. Rastet si Radolishta, Bit Pazari, Tetova… Nuk harrohen.” -tha Gordana Siljanovska-Davkova, Kandidate për President.

“Gjatë rastit të Radolishtës, unë nuk kam qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.  Gjatë kohës së ngjarjeve për Universitetin e Tetovës, unë kam qenë bashkëpunëtor i ri profesional.  Gjatë rasteve të Tetovës, Siljanovska ka qenë ministre në Qeverinë e atëhershme, rasti i Radolishtës kur policia hyri dhe e okupoj fshatin. Ky tip i amnezisë selektive harron se nuk mund ta krahasoni dikë që vitet e 90 ka qenë nëpunës civil, me dikë që ka qenë pjesë e Qeverisë të Cërvenkovskit dhe LSDM-së në atë periudhë të errët gjatë fazës së tranzicionit tonë.” -shprehet Stevo Pendarovski, Kandidat për President.

“Kam qenë pjesë e Qeverisë si përfaqësuese e Liberalëve, dhe është mirë që disa nga ministrat shqiptar të asaj Qeverie janë gjallë dhe shëndoshë i dinë mirë qëndrimet e mia për disa nga ngjarjet.” –thekson Gordana Siljanovska-Davkova, Kandidate për President.
E ne e dëgjuam Siljanovskën dhe e pyetem ish kolegen e Qeverisë, e ai nuk i konfirmoi aspak pohimet e kandidates të përkrahur nga VMRO DPMNE.

“Në qoftë se punon gjatë kohë bashkë me dikë, marrëdhëniet personale mund të jenë edhe të mira, por kur është fjala për interesat e shqiptarëve, për kërkesat e shqiptarëve të atëhershme… Që kishin të bëjnë me arsimin në gjuhën shqipe, ajo aspak nuk ka pasur një rol ndryshe nga partitë tjera. Atë kohë na thoni se është anti-kushtetuese arsimimi në gjuhën shqipe. Nuk mund ne sot ta amnistojmë kandidaten, Gordana Siljanovska, kur dihet se në periudhën e fundit 10 vjeçare, ajo ka qenë në ndër më aktivet duke e bindur opinionin edhe Kundër Marrëveshjes së Ohrit. Ajo ka qenë kategorikisht kundër që të fshihet termi maqedonas, dhe të shtohen bashkësitë etnike. Mos të bisedojmë për gjuhën…”pohon Xhevdet Harjedini, Ish-ministër.

Hajredini kujtoi se VMRO DPMNE e quan si kohë më të errët në historinë e shtetit periudhën kur edhe Siljanovska ka qenë pjesë e ekzekutivit, dhe konsideron se është e pamoralshme që të pranosh përkrahje nga partia që të ka konsideruar si tradhtarë, shkatërrues dhe kriminel. /Furkan Saliu/