close

DEBATI NË PE PËR VOTIMIN E FON DER LAYEN

https://www.youtube.com/watch?v=QMjS_R1BI6M

Parlamenti Europian është treguar tërësisht i përçarë para kandidates të përzgjedhur nga liderët europianë për presidente të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Siç njofton korrespodentja e Tv Klan nga Brukseli Erisa Zykaj, fjalimi në seancë plenare i Von der Leyen ishte më i mirë se javën e shkuar, por jo mjaftueshëm bindës për përballjen e sfidave që Bashkimi Europian ka përpara për 5 vitet e ardhshme.

Masat e propozuara nga Von der Leyen për ndryshimet klimaterike janë thjesht objektiva por jo aksione, ndërkohë që për Europën sociale dhe një ekonomi të qëndrueshme ajo është treguar e vagët. E ndërgjegjshme, se rrezikon të mos marrë votën e shumicës së eurodeputetëve, Von der Leyen është munduar të nxjerrë në pah aspektin human.

“Ne duhet të përpiqemi më shumë për ndryshimet klimaterike. Një qasje me dy etapa nevojitet për reduktimit me 50% në mos 55% të ndotjeve të dioksidit të karbonit në vitin 2030. Ne jemi krenarë për ekonomikë tonë, duam ta forcojmë atë, por ka gjithashtu një loogjikë të thjeshtë në këtë. Nuk janë qytetarët që i shërbejnë ekonomisë tonë, por ekonomia që i shërben qytetarëve tanë. Për modelin tonë të ekonomisë sociale, ne duhet të gërshetojmë aspektin e tregut me aspektin social. Jam në favor të një rroge minimale në Europë, dhe për një taksim të drejtë. Do të propozoj një pakt të ri për migracionin dhe azilin, duke përfshirë edhe rilansimin e reformës së Dublinit.” –tha Ursula Von Der Leyen, Kandidate për Presidente të KE-së.

Edhe pse Urusla von der Leyen intrigon si një kandidature femër për herë të parë në krye të Komisionit Europian, nuk bind ende të zgjedhurit e popullit. Ata i kanë rezervuar asaj një breshëri kritikash.

“Liderët europianë kanë dëmtuar procesin demokratik të përzgjedhjes së kandidatëve ditët e fundit, por nuk besoj, se mund t’i rregullojmë gjërat, duke shkaktuar një dëm edhe më të madh. Europa duhet të jetë e zonja të veprojë tani. Europa duhet të jetë stabile. Ndaj, siç grupimi im mbështeti presidentin e ri të Parlamentit Europian, David Sassoli, ashtu pres nga grupimet e tjera, qê të mbështesin si ne Ursula Von der Leyen në krye të Komisionit Europian.” -shprehet Manfred Veber, Kryetar i PPE-së.

“Ne jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe nuk synojmë ta çojmë Europën drejt një krize institucionale aq më pak kur Europa ka nevojë për ndryshime të mëdha. Por ne duam të sigurohemi, se Europa do të jetë e zonja që të ndërrmarrë masat që nevojiten të merren. Ndaj, grupimi ynë do të marrë një vendim këtë pasdite duke menduar se cila është zgjidhja më e mirë për Europën.-deklaroi Iratxe García Pérez, Kryetare e S&D

“Nëse ju do konfirmoheni në krye të Komisionit Europian dhe shpresoj që kjo të ndodhë, ju shpesh do dëgjoni, që shumë ndryshime nuk mund të bëhen. Por ne kemi nevojë për këto ndryshime, për një Europë më të drejtë, më të qëndrueshme dhe në respekt të klimës.” –vlerëson Dacian Ciolos, Kryetar e Renew.

“Ju folët për paktin e emgracionit. Ky pakt ekziston dhe është votuar nga shumica e Parlamentit Europian. Mos të bëjmë sikur po shpikim gjëra të reja. Merr propozimin tonë dhe lufto për të në Këshillin e ministrave. Për shtetin ligjor, gjuha juaj është e fortë, por propozimet mbeten shumë të vagëta. Ne duhet të respektojmë shtetin ligjor kudo dhe jo të tolerojmë dhunimin e lirive europiane dhe të ndarjes së pushteteve në disa shtete anëtare siç është rasti i Hungarisë dhe Polonisë.” –thekson Philipe Lamberts Kryetar i GREENS.

“Kam respekt per ju si person, por ne e kemi shqyrtuar me kujdes letrën tuaj dhe konsiderojmë, se ju nuk përmbushni kriteret për këtë post. Së pari, ne gjermanët, kemi parë eksperiencën tuaj si ministre e punës,  për çështjet sociale, apo ministre e mbrojtjes. Ne nuk shohim asnjë tregues që ju mund t’a bëni më mirë detyrën e presidentes së Komisionit Europian, se detyrat tuaja të mëparëshme. Ndaj votoa jonë është kundër.” -tha Jörg Meuthen.

“Ka sërish disa çështje, ku ne presim të kemi përgjigjje të qarta nga ju. Kjo do të na ndihmonte që të marrim një vendim në fund të pasdites.” –tha Rafaelle Fitto, Bashkëkryetar i Grupimit ECR.

“Mendoj, se visioni ynë për Bashkimin Europian, si një Europë sociale, e bazuar në drejtësi, paqe dhe respekt për klimën nuk përputhet me vizionin që parashtruat para nesh. Ndaj, fatkeqësisht, vota jonë do jetë kundër.” –përfundoi Martin Schirdevan (GUE).

“Ajo që keni parë sot është një tentativë për Bashkimin Europian për të kontrolluar çdo aspekt të jetës tonë. Von der Leyen do që të ndërtojë një Bashkim Europian të centralizuar, jodemokratike, të vjetëruar të komunizmit.Me këta njerëz, brenda 5 vjetësh, Europa e mbrojtjes do të plotësohet. Do të shërbejë për mbrojtje, por edhe mund të përdoret për sulm. Dhe ju nuk do të mund t’a kontrolloni këtë si Parlament Europian. Votoni kundër kësaj kandidature” – shprehet Nigel Farage.

Votimi për kandidaten për presidente të Komisionit Europian do të kryeht në orën 18:00 dhe pritet të bëhet publik në 19.30. Për t’u konfirmuar në krye të Komoisionit Europian, Ursula von der Leyen duhet të marrë shumicën e votave të Parlamentit Europian. Në rast të kundërt, vendimi kthehet mbrapsht në tryezën e lidervë europianë për një tjetër kandidaturë. /Erisa Zykaj, Bruksel/