close
Bota

DEPUTETI SLLOVEN DORËHIQET PËR ‘VJEDHJE’!

Screenshot_5

Darij Krajçiç tregoi se s’kishte paguar një sanduiç


Në vazhdim një kronikë e pazakonshme nga Sllovenia. Një deputet i parlamentit të atjeshëm ka dhënë dorëheqje, vetëm pak orë pasi në një mbledhje u kishte rrëfyer kolegëve të tij se si në një dyqan pranë parlamentit slloven kishte anashkaluar arkën pa paguar – një sanduiç! Dorëheqja është pranuar pa fjalë,- raportojnë agjencitë e lajmeve.

Ky është Darij Krajçiç, deri dje deputet nga radhët e partisë së kryeministrit Slloven Marjan Sharec. Të mërkurën ai gjatë debatit në komisionin parlamentar lidhur me mekanizmin e kontrollit të produkteve ushqimore, mbase duke dashur të jetë sa më bindës, tha se këto mekanizma janë të mirë nëse respektohen nga të gjithë, por shtoi se mbikëqyrjes edhe i shpëton diçka. Pa e pyetur kush, ai e kishte ilustruar këtë me një veprim të tijin: kishte hyrë në dyqanin afër parlamentit, kishte marrë një sanduiç dhe kishte kaluar arkën pa e paguar atë:

‘Prita të paguaj, sigurisht disa minuta, prita, por aty ke arka tre-pesë njerëz bisedonin, duke mos ma vënë veshin. Prita prita dhe dola pa paguar. Dhe askush nuk vrapoi pas meje, megjithëse aty ka shumë kamera të mbikëqyrjes,’– tha Krajçiç që është edhe doktor i shkencës dhe pedagog në Universitetin e Lubljanës.

Kolegët e tij, raportojnë agjencitë e lajmeve, fillimisht pandehën se fjala është për ndonjë anekdotë të pakripë, por shakanë e mori djalli: megjithëse më pas u sqaroi gazetarëve se kishte bërë një vjedhje virtuale, një eksperiment shoqëror, sepse më pas ishte kthyer – e kishte paguar sanduiçin duke kërkuar edhe falje. Gjesti i tij u pasua me shumë zhurmë dhe pas disa orësh bëri të ditur se hiqte dorë nga mandati i deputetit. Nga grupi parlamentar i partisë së tij ndërkohë kanë bërë të ditur se dorëheqja është pranuar dhe se është caktuar edhe zëvendësuesi i tij.’ Është ekspert, njeri, koleg, mik dhe bashkëpunëtor i mirë, por ka bërë akt të patolerueshëm’- thanë nga partia e kryeministrit slloven. /Seladin Xhezairi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia