Klubi i futbollit Vardari, pretendon se në ndeshjen derbi të javës së 19-të dje në Tetovë kundër Shkëndijës, u është mohuar një gol i pastër, në minutën e 38 kur rezultati ishte 1 me 0 në favor të tetovarëve. Nga Organizata e arbitrave në kuadër të FFM-së, thonë se raste të këtilla ndodhin gjithkund nëpër terrenet evropiane, por se vlerësimi i referit të pestë duhej të ishte më i mirë.
“Ne si FFM bëmë çdo gjë me këtë rast, kishte gjyqtarë të pestë pas golit. Por, pse ai nuk e ka vlerësuar atë, nuk është e qartë. Arsyetimi i tij ndoshta është se gjuajtja e Najdovskit ishte e fuqishme, por për këtë i vendosim referët dhe për këtë mbajmë ligjerata, që ata të mund të vlerësojnë këto momente të ndeshjeve. Çdokund në Europë ndodhin kësi situatash, si nëpër kampionate, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve dhe Ligën Europa, por ne për këtë kemi deleguar arbitra pas golit dhe vlerësimi duhej të ishte më i mirë”-deklaroi Emil Bozhinovski
Drejtësinë në Tetovë e ndanë treshja e referëve nga Shkupi në krye me Dimitar Meçkarovskin, kurse vlerësimi i referimit për ndeshje e javës së 19-të do të bëhet në mbledhjen e organizatës së referëve, ku edhe pritet të dilet me qëndrimet zyrtare. /Shaban Sinani/