Një nga problemet më të mëdha që u shkaktohet ujërave të vendit është ndërtimi i hidrocentraleve, deklaron kështu ambientalisti Arianit Xhaferi. Sipas tij, prishja dhe devijimi i lumenjve sjell probleme në mjedis, ekosistem dhe mënyrën e jetesës.
Në ditën botërore të burimeve ujore, përmendet se vendi përveç që ka problem me mungesën e ujit të pijshëm, poashtu përballet edhe me papastërtinë e tij. Ambientalisti Arianit Xhaferi, thekson se një nga dëmet më të mëdha që u shkaktohet ujërave të vendit është edhe ndërtimi i hidrocentraleve.
‘Dëmet që i shkaktohen ujërave të vendit nga ndërtimi i mbi 400 hidrocentraleve që është paraparë si masë për rritjen e energjisë së pastër nga investitorët dhe nga shteti. Në momentin që ka prishje të lumenjve, devijimi i lumenjve për ndërtimin e hidrocentraleve është shumë i dëmshëm për mjedisin, ekosistemin dhe për mënyrën tonë të të jetesës.’- tha Arianit Xhaferi-Ambientalist.
Ndërkaq, Agim Iseni, përfaqësues i NPK ‘Tetova’ – Tetovë, deklaroi se edhe këtë vit kanë organizuar një sërë aktivitetesh për ngritjen e vetëdijes tek qytetarët për mënyrën e shfrytëzimit të ujit.
‘Kemi tentuar ta rrisim nivelin e apelit tek qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në apele të ndryshme për mënyrat më të lehta të kursimit të ujit të pijshëm dhe për arsye se kemi probleme me ujin e pijshëm.” -deklaroi Agim Iseni-Përfaqësues i NPK-së.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të ujit Enti Shtetëror I Statistikës ka publikuar se 88.2% e shkollave në vend shfrytëzojnë kycjen e ujit përmes rrjetit publik, 4.7% përmes hidroforit, 3% shfrytëzojnë pusin, 0.1% cisternat kurse 4% mënyra tjera për tu furnizuar me ujë. Siç thonë nga Enti Shtetëror i Statistikës nga numri i përgjithshëm i amvisërive 89.7% janë të kycur në rrjetin publik. /Blerona Jakupi/