close

DITA BOTËRORE E REFUGJATËVE: OKB – BILANC TRONDITËS

2018-ta u mbyll me një bilanc tronditës të trendit global të refugjatëve sipas raportit të Agjencisë së Kombëve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR. Raporti i publikuar sot në ditën ndërkombëtare të refugjatëve, flet për të paktën 70.8 milionë njërëz të zhvendosur me forcë nga vendbanimet e tyre për shkak të luftës, persekutimit apo konfliktit.

Sipas UNHCR-ës, ky është niveli më i lartë i këtij fenomeni, i regjistruar në gati 70 vjet. Sipas Pablo Zapates, përfaqësues i UNHCR për Shqipërinë, kjo situatë dramatike që prek miliona njerëz në botë është reflektim i një tensioni që sa vjen e theksohet në nivel global. Dhe në burim të kësaj situate, ku përfshihen gjithnjë e më shumë fëmijë, sipas shefit të UNHCR për Shqipërinë gjendet gjithmonë tensioni politik.

Sipas Zapatës, ky fluks i madh refugjatësh po bën gjithnjë e më të vështirë përmbushjen e zinxhirit zyrtar të trajtimit të tyre duke bërë që vetëm një pjesë e vogël të mund të ndërmarrë hapin e aplikimit zyrtarisht për azil. Të dhënat e raportit tregojnë se azilkërkuesit janë një grup me peshë të konsiderueshme në shifrat e trendit global të refugjatëve. Duke u ndalur në këtë pikë, Zapata çmon përgjigjen korrekte e profesionale të autoriteteve shqiptare, ndaj krizës së refugjatëve të luftës. /Klan Maqedoni/