Motoja me të cilën sivjet shënohet 31 Maji është “Mos lejoni që cigaret tua marrin frymën”. Konsumimi i duhanit edhe mëtej është në rritje tek vendet e pazhvilluara.
Me moton “Mos lejoni që cigaret tua marrin frymën” këtë vit shënohet 31 Maji, Dita botërore kundër duhanpirjes. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmërojnë se më shumë se 40% e duhanpirësve nëpër botë vdesin për shkak të problemeve me frymëmarrjen mes të cilëve edhe kanceri i mushkërive.
Sipas të dhënave të OBSH-së, përdorimi i duhanit në nivel vjetor shkakton vdekjen e së paku tetë milionë njerëzve. Në raportin vjetor të Agjencisë thuhet se 3.3 milionë njerëz, do të vdesin nga sëmundje që lidhen me mushkëritë. Në këtë numër hyjnë edhe duhanpirësit pasiv, ku llogaritet se janë më shumë se 60 mijë fëmijë nën moshën 5 vjeçare. Rastet e vdekjes shkaktohen për shkak të komplikimeve në sistemin respirator që është pasojë e ekspozimit ndaj tymit të cigareve. Nga OBSH njoftojnë se heqja dorë nga duhani është më e madhe në vendet e zhvilluara, derisa te vendet e mesme të zhvilluara numri i duhanpirësve rritet.
“Këto janë vendet ndaj të cilëve po lëviz industria e duhanit. E dinë se po e humbaisn terrenin në Amerikën Veriore dhe në Evropë dhe fokusohen në vendet me zhvillim më të ulët, ku targetohen fëmijët dhe gratë.” – tha Kershtin Shot-OBSH.
Ndërkaq, pneumoftiziologu Femi Demiri thekson se nikotina krijon varshmëri tek konsumuesit me ç’rast sjell edhe komplikacione të ndryshme në organizëm.
Ndryshe, nga OBSH-ja rekomandojnë masa, të shumta, efikase dhe të lira me të cilët vendet mund ta ulin përdorimin e duhanit. Në këtë mënyrë, rekomandohet krijimi i fushave ku konsumimi i duhanit, promovimi dhe shitja do të ndalohen tërësisht. Në pjesën e rekomandimeve përmendet edhe rritja e tatimeve të cigareve dhe prodhimeve tjera të duhanit me qëllim që të vështirësohet qasja deri te fëmijët. /Blerona Jakupi/